Raporti i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, një pikë shqetësuese të tij ka dhe ndërtimin e HEC-eve në Shqipëri si dhe menaxhimin e mbetjeve. Lidhur me këtë çështje në studion e Fax Neës ka qenë eksperti i çështjeve të mjedisit Abdulla Diku.
Sipas tij Shqipëria nuk ka bërë aspak progres në çështjet mjedisore, dhe rekomandimet e dhëna janë të njëjta me një vit më parë nga ana e BE-së.
“Nuk ka asnjë lloj progresi në lidhje me mjedisin, në Shqipëri ka protestë për çdo HEC të ri që ndërtohet për shkak se qytetarët nuk pyeten fare për atë që ndodh në zone. Nuk ka një fushatë diskutimi siç e parashikon ligji në të gjithë botën. Komuniteteve i’u mohohet kompesimi, dhe kjo është një nga arsyet se pse protestohet më së shumti”, u shpreh Diku.
Një tjetër shqetësim që ngriti eksperti i mjedisit ishte dhe ngritja e resorteve dhe kthimi në biznes i zonave të mbrojtura.
“Resortet në zonat e mbrojtura janë precedent i rrezikshëm, në ligjin për mbrojtjen e mjedisit thuhet që ndotësi paguan’. Kjo mbetet vetëm në letër, nuk ka aspak zbatim. Do të duhet një vendim i këshillit yë ministrave, për të vendosur shifrën që ndotësi është i detyruar që të paguajë, mungesa e akteve nënligjore bën që ky ligj të jetë i pazbatueshëm”, u shpreh Diku.
Më tej në bisedën me gazetaren Armela Ferko, Diku ngriti si shqetësim dhe procesin e incenerimit për shkatërrimin e mbetjeve.
“Incenerimi është problematik për menaxhimin e mbetjeve. Incenerimi është hallka e fundit në menaxhimin e mbetjeve. Në BE mbetjet riciklohen, nuk incenerohen, produktet ripërdoren. Në gjithë Greqinë që është vendi i BE ka vetëm një incerenator, që lidhet me shkatërrimin e produkteve spitalore.
Cilësia e karburantit në vendin tonë shumë e ulët për çmimin. Nuk ka strategji për të mbrojtur popullatat në katastrofa. Ndotja e ajrit është problem shumë i madh në disa qytete, veçanërisht në Elbasan. Aktivizimi i filtrave është kosto për kompaninë, të cilat shpeshherë përfitojnë në kurriz të shëndetit të qytetarëve”, tha më tej Diku në Fax News.