Ditën e sotme u zhvillua ceremonia e diplomimit për 93 studentët që përfunduan me sukses ciklin e parë “Bachelor” në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit të Akademisë së Sigurisë.
Një moment i veçantë për studentët dhe për strukturat e Policisë së Shtetit, duke shënuar një arritje të rëndësishme në karrierat e tyre profesionale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit miratoi urdhrat për emërimin e tyre në detyrë dhe për dhënien e gradës “Nënkomisar”.
Ky hap i rëndësishëm është një njohje e përkushtimit dhe angazhimit të studentëve gjatë viteve të studimit dhe përgatitjes së tyre profesionale.
Gjatë ceremonisë, Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit, Drejtues Anisa Duçkollari, uroi në emër të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtues Madhor Ilir Proda, nënkomisarët e rinj dhe theksoi rëndësinë e përmbushjes së detyrave me ndershmëri dhe profesionalizëm.
Ajo i inkurajoi ata të shërbejnë me përkushtim dhe të ruajnë vlerat e shërbimit publik.
Rektori i Akademisë së Sigurisë falënderoi studentët për disiplinën, dëshirën për të mësuar dhe përkushtimin e treguar gjatë studimeve të tyre.
Ai vuri në dukje se ky diplomim është vetëm fillimi i një rrugëtimi të ri, që do të kontribuoni në forcimin e strukturave të rendit dhe sigurisë në vend.
Pas diplomimit, 93 nënkomisarët janë emëruar në 12 qarqe të vendit, duke iu përshtatur nevojave të strukturave të Policisë.
Ky injektim i fuqisë së re do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së hetimit dhe efikasitetin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit.