Demarkacioni me Malin e Zi është një nga problemet më serioze më të cilin po përballet Kosova, ndërkohë që ratifikimi I marrëveshjes është një nga kriteret për liberalizimin e vizave me BE-në.
Por mesa duket kjo çështje tashmë është drejt përmbylljes pas vizitës së kreut të partisë Nisma, Fatmir Limaj në Malin e Zi.
Sipas asaj që shkruan Gazeta Express, referuar takimit, Kosova do ta ratifikojë Marrëveshjen në Kuvend, kurse Mali i Zi do të pajtohet të shqyrtohen hollësisht vërejtjet e Kosovës për gabime eventuale në këtë process.
Gjate ditës së djeshme është raportuar në media për një vizitë të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj në Malin e Zi, por konfirmime zyrtare nga kabineti qeveritar në Prishtinë e në Podgoricë nuk ka pasur.
Burime të Gazetës Express konfirmojnë një takim të afërt të Limajt me ministrin e Punëve të Jashtëm të Malit të Zi, Serdan Darmanoviq, dje në zyrën e këtij të fundit në Podgoricë.
Mësohet se dy zyrtarët kanë folur për opsionet sesi të zhbllokohet kjo situatë, e cila ka pamundësuar lëvizjen e lirë të kosovarëve në Zonën Shengen.
“Limaj dhe Darmanoviq kanë diskutuar disa opsione për daljen nga ky ngërç. Zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët”, ka mësuar Express nga burime brenda takimit.
“Dhe zgjidhja e kësaj çështjeje, lirisht mund të thuhet se është çështje ditësh”.
Zgjidhja mund të jetë që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen me Malin e Zi, përderisa autoritetet e Podgoricës do të zotohen se janë të hapur për të diskutuar për gabimet eventuale në këtë proces.
Fatmir Limaj këto ditë ka qenë zyrtari i vetëm që ka lënë shpresë së çështja e demarkacionit do të mbyllet.
(B.H/Faxweb)
Discussion about this post