Fax News informon se presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka pritur sot në mëngjes rreth orës 8 e 15 minuta në zyrën e tij, anëtarët e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme.
Është hera e parë që një president Republike thirret në një seancë dëgjimore të një komisioni parlamentar.
Anëtarët e komisionit kanë kërkuar informacion për fazat e negociatave për arritjen e marrëveshjes së shumë debatuar mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit.
Mësohet se objekt i këtij takimi do të jetë gjithashtu informimi i Presidentit rreth përplasjes me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushatin. Duke qenë se Presidenti Meta nuk mund të merrte pjesë në një mbledhje të Komisionit Parlamentar për të informuar deputetët dhe për t’u përballur me ministrin Bushati, mësohet se është gjetur si zgjidhje takimi i deputetëve në selinë e Presidencës.
Për këtë arsye pjesë e takimit që pritet të mbahet sot, do të jenë edhe takimet e Presidentit Meta me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.
Kujtojmë prej mbledhjes së fundit të Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, se ishte ideja e deputetit demokrat Tritan Shehu thirrja e presidentit Meta në një seancë dëgjimore.