NGA PROF. DR. FERDI BRAHUSHI
Ditët e fundit opinioni publik është përballur me qëndrime ose opinione në lidhje me të dhënat e mbetjeve mbi normat e lejuara të pesticideve të rrezikshme Chlorpyrifos dhe Phosmet të raportuara nga Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF). Këto substanca janë të ndaluara për tregtim dhe përdorim në Bashkimin Europian (BE) dhe vendin tonë, pasi paraqesin rreziqe serioze për mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Që në fillim dua të theksoj faktin që gjetja e mbetjeve të pesticideve mbi normat e lejuara përbën një shqetësim dhe duhet konsideruar dhe jo neglizhuar apo minimizuar, si dhe reagimi për këtë çështje është i domosdoshëm.
Nuk ka rëndësi fakti se sa tonë mandarina kanë rezultuar me mbetje pesticidesh mbi normën e lejuar, pasi qoftë edhe disa kilogramë të jenë duhet konsideruar si shqetësim. Në këtë rast, shqetësimi ka dy arsye: e para, dhe kryesorja lidhet me faktin se mbetjet e pesticideve janë gjetur mbi normat e lejuara dhe kjo është arsyeja kryesore që mandarinat janë bllokuar apo kthyer në kufinjtë e BE-së, sepse në qoftë se mandarinat do të kishin mbetje pesticidesh nën normat e lejuara qoftë edhe me pesticide të ndaluara, ato do të lejoheshin për të dalë në treg. E dyta lidhet me gjetjen e mbetjeve të pesticideve të ndaluara për përdorim në vendin tonë. Gjatë vitit 2024 nga Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF) raportohen 15 raste të mbetjeve të pesticideve mbi normat e lejuara në fruta perime.
Pesticidet që kanë rezultuar mbi normat e lejuara janë disa nga pesticidet që lejohen për përdorim në vendin tonë si Formetanate, Famoxadone, Pirimiphos-methyl dhe Metalaxyl, por edhe disa pesticide të ndaluara si Dieldrin, Chlorpyrifos dhe Phosmet. Pra, shqetësimi qëndron jo vetëm për pesticidet e ndaluara, por edhe për pesticidet e lejuara. Ndonëse në kuadër të sasisë vjetore të eksportuar të fruta perimeve, rastet e konstatuara zënë një përqindje të vogël, por përsëri duhet të konsiderohet një shqetësim serioz. Gjithashtu, nuk kemi të dhëna të raportuara mbi mbetjet e pesticideve mbi normat e lejuara për produktet bujqësore që tregtohen në vendin tonë me origjinë nga importi ose të vendit, pra shqetësimi ngrihet vetëm mbi bazën e fruta-perimeve që eksportohen, por është e domosdoshme edhe analiza e mbetjeve të pesticideve në fruta-perimet që tregtohen në vendin tonë, në mënyrë që të garantojmë konsumatorin vendës.
Bazuar në shkallën e toksicitetit të pesticideve janë përcaktuar ato nivele të mbetjeve të pesticideve që quhen Mbetjet Maksimale të Lejueshme (MML) ose norma të lejuara në produktet me origjinë bimore dhe shtazore, të cilat janë të parrezikshme për jetën e njeriut. Mbetjet Maksimale të Lejueshme janë përcaktuar për çdo lëndë aktive të pesticideve dhe produkt me origjine bimore dhe shtazore që konsumohen nga njerëzit. Vendi ynë ka miratuar të njëjtat normativa si dhe Bashkimi Europian (BE) në lidhje me MML-të. Produktet bujqësore dhe blegtorale në kuadër të sigurisë ushqimore duhet që para se të dalin në treg, duhet t’i nënshtrohen analizës për mbetjet e mundshme të pesticideve në produkt, sipas një plani monitorimi dhe vlerësim risku.
Në rastet kur këto mbetje janë mbi normat e lejuara ose MML duhet që produktet ushqimore të mos konsumohen dhe të eliminohet, pasi rrezikojnë hëndetin e njeriut. Theksoj faktin që në çdo rast që mund të bëhet analiza e mbetjeve të pesticideve në fruta perime, apo edhe në produktet e tjera bujqësore ato do të rezultojnë me mbetje pesticidesh, pasi pesticidet janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren për pasojë pesticidet janë prezent në mjedis, tokë, ujë, bimë, ajër, organizma, etj., kështu ato mund të hyjnë në bimë dhe rezultojnë si mbetje në fruta-perime dhe produktet e tjera bujqësore. Por duhet që këto mbetje të jenë në normat e lejuara që prodhimet bujqësore të konsiderohen të sigurta për shëndetin e konsumatorëve. Përdorimi i pesticideve çon në mënyrë të pashmangshme në formimin e mbetjeve në bimë dhe tokë, të cilat në kohë degradohen dhe reduktohet përqendrimi i tyre. Prezenca e mbetjeve të pesticideve në mjedis, sidomos e atyre që janë të qëndrueshëm dhe janë përdorur për një kohë të gjatë shpjegon faktin që në disa raste gjenden mbetje të këtyre pesticideve në prodhimet bujqësore, edhe pse fermerët mund të mos e kenë përdorur atë pesticid gjatë atij sezoni të prodhimit. Prandaj janë të rëndësishme analizat e tokës, ujit që përdoret për ujitje për mbetje të mundshme të pesticideve para apo gjatë kultivimit të bimëve bujqësore. Përdorimi i pesticideve mundëson rritjen e prodhimit bujqësor, por përveç anës pozitive që lidhet me rritjen e rendimentit të bimëve bujqësore dhe cilësisë së prodhimit, shoqërohet edhe me ndikime negative në mjedis dhe shëndetin e njeriut, sidomos në rastet kur përdorimi i tyre kryhet në mënyrë të pakontrolluar nga specialistët e fushës. Kështu, del e domosdoshme përdorimi i kontrolluar dhe marrja e masave për reduktimin dhe/ose eliminimin e mbetjeve të tyre në mjedis. Në vendin tonë vërehen disa problematika lidhur me tregtimin dhe përdorimin e pesticideve, të cijat po i citojmë në vijim
1.Tregtimi dhe përdorimi i pesticideve për të cilat tashmë është ndaluar përdorimi i mëtejshëm i tyre në vendet e BE-së dhe vendin tonë, kështu këto pesticide duhet të ndalohet përdorimi i mëtejshëm i tyre dhe asgjësimi i sasive të mundshme fizike, pasi janë pesticide vrastare për mjedisin dhe njerëzit.
2.Mungesa e një sistemi të gjurmëshmërisë së produkteve bujqësore që tregtohen në vend dhe eksportohen, duke çuar në mosidentifikimin e fermës apo fermave, që përdorin pesticide në mënyrë jo të duhur dhe për pasojë penalizohen edhe fermat që zbatojnë teknologjinë e duhur.
3.Mosrespektimi i afateve kohore në përdorimin e pesticideve nga fermerët. Vërehet që fermerët nuk respektojnë afatin kohor nga aplikimi i fundit deri në vjeljen e produktit ose siç njihet “Karenca” e pesticidit, e cila është koha e nevojshme që sasia e pesticidit të përdorur të reduktohet në nivelin e mbetjeve të lejuara (MML) nëpërmjet proceseve të degradimit. Nga mosrespektimi i karencës së pesticidit, sidomos për bimët bujqësore që konsumohen të freskëta si perimet dhe frutat do të kemi mbetje të pesticideve në bimë më të larta se normat e lejuara duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.
4.Mosrespektimi i dozave të përcaktuara në përdorimin e pesticideve nga fermerët. Në disa raste fermerët përdorin doza më të larta se dozat e rekomanduara, me qëllim për të siguruar një mbrojtje më të mirë të bimës nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Një përdorim i tillë nuk është se siguron një mbrojtje më të mirë të bimës, pasi doza e rekomanduar siguron një mbrojtje të plotë të bimës. Përdorimi i dozave më të larta çon vetëm në rritjen e sasisë së mbetjeve të pesticideve në bimë dhe në mjedis si dhe në rritjen e kostos së prodhimit.
5.Analiza të pakta të mbetjeve të pesticideve në produktet ushqimore. Duhet që institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore të kryejnë në vijimësi analiza mbi mbetjet e pesticideve. Për të analizuar mbetjet e pesticideve në produktet ushqimore, që tregtohen në vendin tonë, duhet të merren mostra në mënyrë rastësore dhe të vijueshme në treg të produkteve me origjinë bimore dhe shtazore. Analiza e mbetjeve të pesticideve, sidomos në perime dhe fruta është shumë e rëndësishme pasi perimet dhe frutat konsumohen në mënyrë të vijueshme, në sasi të konsiderueshme dhe janë pjesë e dietës ushqimore për të gjithë konsumatorët. Për më tepër, konsumimi i tyre të freskëta mbart një rrezik të shtuar të mbetjeve të pesticideve, pasi koha që ndan përdorimin e një pesticidi në fushë nga koha e konsumit shpesh nuk është e gjatë dhe e mjaftueshme për degradimin e tyre. Institucionet përgjegjëse, të cilat lidhen me përdorimin e pesticideve, kontrollin e produkteve ushqimore dhe sigurinë ushqimore duhet të reagojnë në mënyrë të menjëhershme, duke mos lejuar tregtimin e mëtejshëm të produkteve me mbetje pesticidesh dhe eliminimin e tyre.
Për të siguruar një mbrojtje të mirë të bimëve bujqësore dhe për të garantuar sigurinë ushqimore si dhe mbrojtjen e konsumatorëve, rekomandohen:
-Rritja e kapaciteteve infrastrukturore dhe njerëzore për monitorimin e vazhdueshëm të mbetjeve të pesticideve në produktet ushqimore që tregtohen në vend dhe eksportohen.
-Krijimi i një sistemi të plotë të gjurmëshmërisë së origjinës së prodhimeve bujqësore.
-Fermat bujqësore që shesin prodhimet e tyre në tregun vendës apo për eksport duhet të supervizohen nga agronomi, i cili duhet të jetë përgjegjës për teknologjinë dhe përdorimin e pesticideve.
-Përmirësimi i informacionit për përdoruesit e pesticideve dhe ndërgjegjësimi.
-Përdorimi i pesticideve lehtësisht të degradueshme ose me një karencë të shkurtër për të shmangur mbetjet e tyre në produkt.
-Respektimi në përdorim i karencës së pesticidit, përqindjes të lëndëve aktive përbërëse dhe dozave të rekomanduara për aplikim.
Promovimi i “kontrollit të integruar” të sëmundjeve dhe dëmtuesve në bujqësi, si dhe promovimi i bio-bujqësisë etj..
* Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore Universiteti Bujqësor i Tiranës