Gjatë fjalës së tij sot në kuvend deputeti Edmond Panariti ka deklaruar se për çështjet minoritare duhet të pyetet edhe Akademia e Shkencave.
Sipas Panaritit duhet të ketë një mënyrë institucionale edhe një raport, një material për një mendim, për një opinion të institucioneve përkatëse të Shtetit Shqiptar, Akademisë së Shkencave, Institutit të Historisë, Institutit të Albanoligjisë për këtë çështje.
“Dhe ne nuk mund tja lëmë këtë interpretimeve subjektive të ekspertëve, që unë i respektoj, por janë interpretime gjithsesi që kanë një dozë subjektiviteti. Prandaj kërkohej me të drejtë që Akademia e Shkencave, institutetet përkatëse të shpreheshin për këtë problem shumë të rëndësishëm”, u shpreh deputeti Edmond Panariti.
FJALA E PLOTË:
“Ne bëmë shumë mirë që e hapëm diskutimin, të dy komisionet, Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni i Jashtëm mori një seancë dëgjese me grupet e interesit. Përfaqësitë e grupimeve të ndryshme të pakicave kombëtare, të grupimeve etnolinguistike patën mundësinë përpara mbledhjes së përbashkët të dy komisioneve të shpreheshin lidhur me këto probleme që përcaktohen në këto ligj.
Por aty pati dhe shumë qëndrime ambigue, të paqarta dhe nga vetë këto grupime. Për këto arsye unë insistova në Komisionin e Ligjeve që për çështje të përcaktimit të statusit të pakicës kombëtare apo të grupimeve etnolinguistike duhet të jenë institutucionet shqiptare, të cilat duhet të shprehen dhe posaçërisht Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Institutet e Historisë, institutet e Albanologjisë.
Siç i dëgjuam me shumë vëmendje dhe respektuam pretendimet e tyre të grupeve të interesit, grupimeve të pakicave kombëtare për vetëdeklarimin dhe vetëkarakterizimin e tyre duhet të dëgjojmë padyshim dhe institucionet tona. Ky është rasti Par Excellance i Akademisë së Shkencave, e cila ka qenë dhe në fokusin e vëmendjes së opinionit publik për një rol më proaktiv në çështje të një rëndësie kombëtare, siç janë çështjet e pakicave kombëtare. Kur kam qenë Ministër i Jashtëm kam insistuar që Akademia e Shkencave të shprehej dhe për çështje të tjera të rëndësisë kombëtare, siç janë çështjet e kufijëve detarë apo kufijëve tokësorë. Pra duhej të kishim në mënyrë institucionale edhe një raport, një material për një mendim, për një opinion të institucioneve përkatëse të Shtetit Shqiptar, Akademisë së Shkencave, Institutit të Historisë, Institutit të Albanoligjisë për këtë çështje. Gjë që mungon. Dhe ne nuk mund tja lëmë këtë interpretimeve subjektive të ekspertëve, që unë i respektoj, por janë interpretime gjithsesi që kanë një dozë subjektiviteti. Prandaj kërkohej me të drejtë që Akademia e Shkencave, institutetet përkatëse të shpreheshin për këtë problem shumë të rëndësishëm”. (J.V/Shuplaka)