“Kur do ti ndjejnë qytetarët arritjet dhe marrëveshjet e Minishengenit?”, ishte pyetja e drejtuar Ramës në Konferencën që po mban në kuadër të minishengenit, ku si në të gjitha rastet përveç retorikës, e kishte të pamundur që të jepte shifra, apo afate të mirëcaktuara kohore.
Rama iu përgjigj teorive konspirative, që sipas tij thonë se kjo nismë nuk ka impakt, që vendi ynë do të ketë më shumë turistë kinezë, tashmë që do të arrihet marrëveshja mes vendeve të Ballkanit.
“Dëgjoj shumë teori konspirative dhe broçkulla se kjo nismë nuk ka impakt, që ka impakt vetëm për Serbinë e kështu me radhë, ndërkohë që është krejt e kundërta, çdo vend që përfshihet në këtë projekt është përfitues.
Komisioni do t’i akordojë që vitin e ardhshëm 1.2 miliardë euro në funksion të zbatimit të marrëveshjeve, që nuk janë kredi po janë grante.
Po shoh shumë patriot të FB që më janë vërsulur, por ne kemi mundësi që të rrisim numrin e turistëve kinezë, kjo nuk është fantazi, është një kalkulim i pastër ekonomik. Mundësia që turistët të shkojnë nga një vend në një vend tjetër është shumë imediate”, u shpreh Rama.
Ndërkohë që lidhur me marrëveshjen foli dhe kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.
”Dua të them se në takimin e ardhshëm, ndoshta në Beograd, institucionet tona të kërkim shpëtimit do të nënshkruajnë protokollin e bashkëpunimit, që do të jetë me përfitim për të gjithë qytetarët shqiptarë. Bashkëpunimi 24 orësh që kemi ofruar po jep rezultate, dhe do të ndihet dhe nga transportuesit që përdorin pikat kufitare.
Vetëm në 4 javë kemi nënshkruar marrëveshje për pikat klufitare, dhe kur punojmë së bashku tregojmë se rrisim të mirat mes vendeve. Edhe në rastin e shqiptarëve, që gjenden në Serbi dhe në Maqedoni, duhet ta kuptojnë se të bashkosh forcat është një gjë e mirë.
Një nga objektivat tona është shkrirja e kufirit mes vendeve për lëvizjen e njerëzve, duhet të ketë një realizim të njohjes së faktorëve ekonomikë. Do thjeshtohen procedurat për lirinë e punëtorëve, do të ketë mundësi që qytetarët të përfitojnë nga një sistem i tillë.
Psh nëse një kinez që hyn në aeroportin e Beogradit, të ketë mundësi që të lëvizë lirisht në të gjitha vendet e tjera të rajonit”, u shpreh Zaev.