Lulzim Basha rezultoi fitues nga zgjedhjet e 22 korrikut për kreun e Partisë Demokratike, ndërsa duket se opozita me kryetarin e saj do të nis punën shumë shpejtë.
Në një shkrim të publikuar në variantin online të “Rilindjes Demokratike”, organ zyrtar i PD-së, paralajmërohet se në datën 26 korrik opozita do të nisë punë me kohë të plotë.
Ndërkohë më tej shkruan se PD-ja pritet të organizojë një nisëm me këtë datë, për të kundërshtuar sipas saj “rritjen e çmimit të ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës me 35% pa bërë asnjë konsultim dhe pa dhënë asnjë arsye se përse duhet rritur ky çmim në mënyrë kaq drastike”.
“Vendit i duhet opozita dhe opozitës i duhet lideri që të udhëheqë popullin opozitar në betejat politike, të cilat nuk do të jenë të lehta. Ndoshta nuk duhet pritur as shtatori për të bërë bilancet.
Larg burokracive opozita duhet të nisë punë që nga 26 korriku, dita kur kryebashkiaku i Tiranës në bashkëpunim me kreun e qeverisë kanë rënë dakord që të rrisin çmimin e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës me 35% pa bërë asnjë konsultim dhe pa dhënë asnjë arsye se përse duhet rritur ky çmim në mënyrë kaq drastike.
Me 26 korrik duhet të ndahet mirë edhe se kush do të jetë opozita e vërtetë dhe kush do të jetë opozita e dyzuar me pushtetin. Kush do të jetë në anën e qytetarëve dhe kush në anën e përfitimeve. Kush zgjedh pushimet në politikë dhe kush zgjedh dylyftimet politike. 26 korriku do të konsiderohet si testi i parë i opozitës”, shkruan RD.
(S.SH/Shuplaka)