Ditën e djeshme në ‘’Top Story’’ analistët u ndanë në qëndrime pro dhe kundër përsa i përket zgjidhjes së krizës dhe gjetjes së një marrëveshje.
Në takimin me aktorët kryesorë të politikës shqiptare, zv/sekretari i Shtetit, Hoyt Yee nuk paraqiti asnjë paketë amerikane për zgjidhjen e krizës, për rivlerësoi edhe njëherë paketën “McAllister”. Zyrtari amerikan nuk pruri asnjë paketë të re dhe brenda ditës së sotme pritet të ketë ndonjë zhvillim.
Për këtë u diskutua në Top Story këtë të hënë në një panel analistësh me Eduard Zaloshnjën, Mustafa Nanon, Shpëtim Nazarkon, Agron Gjekmarkajn, Fahri Balliun dhe Alfred Lelën.
Mustafa Nano u tregua i kujdesshëm për rezultatin e “ndërmjetësimit” të zyrtarit të lartë të diplomacisë amerikane.
“Unë nuk shoh shpresë, sepse për mua Partia Demokratike nuk duhet ta niste këtë gjë, por tani e ka sjellë deri në këtë pikë saqë unë shoh si zgjidhje ta çojë deri në fund dhe do të hyjë në histori për këtë. Nga pikëpamja elektorale, do të ishte qesharake nëse do të hynte në zgjedhje. Unë dua që të hyjë, por do të ishte qesharake”, thotë ai.
Agron Gjekmarkaj ndan tjetër mendim. Ai e quan të suksesshme protestën e opozitës.
“Opozita ka bërë shumë mirë që e nisi këtë protestë dhe është një nga protestat më të dobishme, sepse ja ka dalë të sensibilizojë opinionin shqiptar për manipulimin e zgjedhjeve, të sensibilizojë gjithë kancelaritë për krimin dhe drogën dhe në këtë pikëpamje është e suksesshme”, deklaroi Gjekmarkaj.
Shpëtim Nazarko nisi analizën e tij me protestën e së shtunës. Ai e quajti këtë protestë që një lëvizje taktike të Partisë Demokratike në prag të ardhjes së Hoyt Yee.
“Opozita e kishte protestën lëvizjen e fundit, do të bënte një protestë paqësore me sa më shumë njerëz si një mesazh për politikanin e SHBA. Kjo ishte një lëvizje taktike shumë e mirë dhe brenda kësaj loje ka luajtur mirë opozita, edhe kur ka kërkuar qeverinë teknike. Konkretisht mendoj se nuk ka marrë asgjë më shumë nga ato që propozoi McAllister. Palët do të vërtiten rrotull për të fituar kohë. PD ka qenë në rënie dhe lëvizja që ka bërë para 3 muajsh ka qenë e detyruar për të tërhequr vëmendjen”, tha ai.
Alfred Lela foli se përse nuk ka ende një marrëveshje dhe përse u zvarritën gjërat deri në këtë pikë. Fajtori për këtë është një, sipas tij.
“Marrëveshjen e ka ndaluar Kryeministri ndaj çdo kritike dhe revolte ka patur talljen dhe përqeshjen si fillim. Kryeministri e ka zgjatur lëngatën e kësaj krize. Zv.kryeministri në më të paktën e vet e bën një plus. Qeveria aktuale i ka ngjyrimet e qeverisë teknike, çadra e detyroi largimin e katër ministrave dhe shto edhe katër zv.ministra për opozitën”, u shpreh ai.
Eduard Zaloshnja foli për rolin e LSI-së në këtë krizë.
“Meta ka qenë sponsori i paketës McAllister që ofroi dorëheqjen e tij dhe të deputetëve. Fakti është që LSI ka qenë partia që ka përcaktuar kush bëhet Kryeministër dhe kryebashkiak i Tiranës dhe nëse PD nuk futet në zgjedhje, LSI nuk e bën dot më këtë rol”, deklaroi ai.
Fahri Balliu e interpretoi vizitën e Hoyt Yee si njohje e shqetësimeve të ngritura nga Partia Demokratike dhe protesta e saj.
“Zotëria që ka ardhur nga supërfuqia e botës ka ardhur se gjendja është e rëndë, që droga është e rëndë, që është situatë e rëndë krimi dhe që të gjithë këta persona janë pas kutive të votimit”, tha ai.
Në fund, të ftuarit e Sokol Ballës në panel u ndanë në lidhje me parashikimet nëse do të ketë një marrëveshje. Mustafa Nano dhe Fahri Balliu u shprehën kundër, ndërsa Eduad Zaloshnja, Alfred Lela, Shpëtim Nazarko dhe Agron Gjekmarkaj ishin më optimistë dhe thanë se do të ketë një të tillë në orët në vijim. (E.K/SHUPLAKA)