Varianti Delta po mbizotëron në të gjithë botën dhe ekspertët shëndetësorë në disa vende po alarmojnë mbi ndikimin e tij tek gratë shtatzëna.
Disa nga ekspertë të Anglisë lëshuan një deklaratë të përbashkët të premten, duke u bërë thirrje grave shtatzëna të vaksinohen kundër koronavirusit. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) gjithashtu ka thënë më parë se gratë e infektuara, shtatzëna përballen me një rrezik më të madh për të zhvilluar Covid-19 me simptoma të rënda, në krahasim me gratë jo shtatzëna të një moshe të ngjashme.
Një shqetësim është se rreziku mund të jetë edhe më i lartë me llojin Delta, i cili është provuar të jetë më transmetues dhe mund të shkaktojë sëmundje më të rënda në krahasim me variantet e mëparshme të virusit.
Ja çfarë duhet të dini:
A është Delta më i rrezikshëm nëse jeni shtatzënë?
Varianti Delta është më transmetues dhe mund të shkaktojë sëmundje më të rënda për të gjithë, përfshirë gratë shtatzëna. Të dhënat e fundit treguan se numri i grave shtatzëna që janë shtruar në spital me Covid-19 po rritet në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të llojit Delta.
“Krahasuar me virusin origjinal Covid, variantet e reja (alfa dhe më pas delta) shkaktuan sëmundje më të rënda në gratë shtatzëna,” tha Andrew Shennan, profesor në King’s College London.
Sidoqoftë, grupi tha se ndërsa rritja e shtrimeve në spital ishte në përputhje me rritjen aktuale të pranimeve në spitale Covid-19 në popullatën e përgjithshme të MB, të dhënat nxjerrin në pah një rritje në mesin e grave shtatzëna që kanë nevojë për kujdes për simptomat akute.
Po në lidhje me rreziqet për foshnjën?
Studimet e mëparshme kanë treguar se infeksioni Covid-19 ngre rrezikun e rezultateve negative për nënën dhe foshnjën. Këto rreziqe përfshijnë preeklampsinë, infeksionet, pranimin në njësitë e kujdesit intensiv në spital dhe madje edhe vdekjen.
Të dhënat e reja të mbledhura nga UKOSS treguan se një në pesë gra të shtruara në spital me simptoma serioze të Covid-19 vazhduan të lindnin para kohe dhe gjasat e lindjes me metodë cezariane u dyfishuan.
Po në lidhje me foshnjat që ushqehen me gji?
OBSH ka rekomanduar që gratë që ushqejnë me gji duhet të vaksinohen dhe nuk duhet të ndalojnë dhënien e gjirit për shkak të vaksinimit, sepse vaksinat nuk kanë gjasa të përbëjnë ndonjë rrezik për foshnjën.