Zhvlerësimi i euros është një fenomen që ka nisur që prej vitit të kaluar në vendin tonë. Prej kohësh përflitet që një ndër arsyet e këtij fenomeni është edhe kanabisi.
Ndërkohë që në Shqipëri euro gjatë gjithë vitit, sidomos gjatë periudhës së zgjedhjeve zhvlerësohej vazhdimisht për shkak të ofertës së madhe në treg, në bursat europiane, euro po rritej.
Shifrat e Bankës Qendrore Europiane tregojnë se monedha u forcua me gati 10 pikë përqindje këtë vit, ndaj zvogëloi programin e saj stimulues prej 2 miliardë eurosh. Mirëpo në Shqipëri euro ra në nivelin më të ulët të 9-të viteve.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, e ka cilësuar këtë fenomen si diçka normale dhe aspak të jashtëzakonshme.
Në një intervistë për Tv Scan, të pak ditëve më parë, Gent Sejko e shpjegoi rënien e euros përmes disa faktorëve ndikues, si turizmi dhe investimet.
“Forcimi i lekut ka ardhur si pasojë e një oferte të madhe të euros, një hyrje të madhe të euros. Ne i referohemi shifrave dhe analizave tona që ne disponojmë; hyrjet si pasoje e turizmit kanë qenë më të larta në Shqipëri, niveli i import- eksporteve ka qenë pozitiv, pra kemi një rritje te eksporteve shqiptare. Gjithashtu kemi pasur edhe rritje te investimeve te huaja, ka mjaft hyrje në euro nga këto aktivitete, përgjithësisht ka edhe një cikël historik, i cili i referohet periudhave të veçanta, ajo e verës dhe e dimrit, me ndikimin e emigrantëve ka shumë prurje në euro, po përgjithësisht ka sjellë që ne të kemi një nivel të lartë të ofertës së euros, gjë qe ka sjellë edhe forcim të lekut në kursin e këmbimit”, është shprehur Sejko.
Mirëpo sa të qëndrueshme janë këto aryetime?! Investimet e huaja në shqipëri nuk është se kanë patur periudhën e tyre të “lulëzimit” gjatë katër viteve të qeverisjes së Edi Ramës, madje as vetëm vitin e fundit.
Ndërsa përsa i përket prurjes së emigrantëve, vlen të përmendet fakti se grafiku i rënies së euros tregon se pikiata nuk u ndal që nga viti i kaluar deri në qershor, pavarësisht periudhave lëvizjeve të emigrantëve. Madje edhe pavarësisht turistëve.
Psh muajin shkurt nuk është se ka patur ndonjë rritje të fluksit të emigrantëve, apo edhe të mbërritjes së turistëve të huaj në vend, kështu që ky arsyetim i Sejkos nuk qëndron.
Për më tepër, ajo që është akoma edhe më e habitshme është se menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, euro filloi të njihte një rritje të lehtë. Gjë që dëshmon edhe lidhjen e euros me fushatën politike dhe paratë e drogës.
Gjatë vitit të fundit, produkti për të cilin është njohur më shumë Shqipëria për eksporte është pikërisht tregtimi i kanabisit. Fenomeni është denoncuar edhe nga kreu i antimafias italiane Franco Roberti por edhe nga Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH).
Madje edhe ambasadori i OSBEs-së Bernd Borshard, në një intervistë për Ora Neës ka përmendur shfrën prej 2 miliard eurosh, të mbledhur nga paratë e pista të drogës dhe thoshte se ato mund të ishin një faktor që mund të rrezikonin zgjedhjet e lira e të ndershme në vend.
“Një tjetër aspekt është fluksi i parave të pista në zgjedhje . Edhe ky është një risk i madh. Kanabisi prodhohet në Shqipëri që në fillim të viteve në 1990. Në 2013 Guardia di Financa përllogariti që prodhimi ishte 1 mijë ton, vlera bruto e të cilëve shkonte më shumë se 2 miliardë euro. Po të marrim shifrat e publikuara nga ministria e Brendshme për plantacionet e shkatërruara, duket që mbjelljet kanë qenë më të mëdha se në 2013. Jo gjithçka është kapur sepse çdo javë dëgjohet se janë kapur ngarkesa. Kjo do të thotë se qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra ekziston rrisku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”, ishin fjalët e Borshard.
Të gjitha këto të çojnë vetëm në një përfundim, që zhvlerësimi i euros gjatë 2016-2017 ka ndodhur pikërisht për shkak të eksporteve të drogës, të cilat kanë njohur shifra të frikshme gjatë 2016-ës. (D.D/Shuplaka)