Ka kaq shumë fije që lidhen në politikën shqiptare, saqë me disa kërkime të thjeshta, mund të bësh zbulime që thonë shumë.
Kështu në lëmin e emërimeve dhe shkarkimeve në rradhët e Prokurorisë ka një emër që është ai i Donika Prelës.
Ajo zëvendësoi Agron Gjanën në krye të Prokurorisë së Durrësit, me vendim të Arta Markut.
Po nëse për Prelën nuk gjen asnjë imazh, e vetmja çështje për të cilën ajo ka fituar vëmendjen mediatike ka qenë ajo e gjashtë viteve më parë kur lironte nga akuza për drogë djalin e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçit.
Socialistët në opozitë asokohe e konsideronin ndalimin e Ledio Ruçit si një vendim politik, dhe presion nga ana e qeverisë së Sali Berishës. Prela në vendimin e saj e ka cilësuar si të paligjshëm ndalimin e Ruçit.
HISTORIA:
Bie akuza për drogën në makinë. Ndalimi cilësohet i paligjshëm
Ledio Ruçi, djali i deputetit të PS-së, fiton në sallën e gjyqit lirinë e munguar prej 70 orësh. Ndalimi i tij u quajt i paligjshëm, duke iu hedhur poshtë nga gjykata dyshimi i prokurorisë për akuzën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Trupi gjykues, përfaqësuar nga Kastriot Selita, ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Ledio Ruçin dhe urdhëroi lirimin e tij në sallën e gjyqit.
Seanca gjyqësore ndaj 28-vjeçarit Ruçi u zhvillua mesditën e djeshme. Rreth orës 12:00, i riu, ndaluar pasditen e së hënës, pasi në makinën e tij u gjet 1.5 gramë kanabis, ka hyrë i shoqëruar me punonjës të policisë në godinën e Gjykatës. Ai përfaqësohej nga dy avokatë, ndërsa në sallën ku u zhvillua seanca ndodhej i pranishëm vetëm një shok i tij.
Përfaqësuesja e Prokurorisë së Durrësit, Donika Prela, e ka cilësuar që në fillim të paligjshëm kontrollin e dytë në makinën e Ruçit, por ka pranuar si të ligjshëm ndalimin dhe gjetjen e provave, pikërisht qesen e drogës.
Prokurorja është rikthyer dhe një herë në datën 27 janar, kur makina me targa zyrtare e familjes së deputetit, TR 0141 Z, u ndal në një postbllok të policisë së Durrësit. Sipas organit të akuzës, më 27 janar, në këtë makinë u ushtrua kontroll, ku u zbulua një armë sportive me dylbi.
Menjëherë u arrestua Lori Kelolli, shoku i drejtuesit të makinës, Ledio Ruçi, ndërsa makina me targa Z u bllokua për mungesë dokumentacioni. Pas tri ditësh, Gjykata e Durrësit e liroi Kelollin, pasi arma rezultoi me leje. Të njëjtën ditë, oficerët e policisë së Durrësit i kanë kërkuar të riut Ruçi që të lëvizte makinën që kishte bllokuar një tjetër mjet në pikën e bllokimit në Shkozet. Sipas prokurores, më 30 janar, në orën 14.00, efektivat të Antidrogës dhe të rendit, në prani të vetë të pandehurit Ruçi, kanë ushtruar një kontroll të dytë në automjet, ku u gjet në cilësinë e provës materiale 1.5 gramë kanabis sativa. Ky kontroll është quajtur i paligjshëm nga ana e prokurores, ndërsa ndaj Ledio Ruçit ngre dyshimin si autor i veprës penale të prodhimit dhe trafikimit të drogës.
Megjithatë, ajo kërkoi dje nga trupi gjykues masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Ruçin, deri në fund të hetimeve, që sipas saj korrespondojnë me kryerjen e ekspertimit mbi shenjat e gishtave dhe prova të tjera që të provojnë se droga i përkiste atij.
Pas akuzës e morën fjalën dy avokatët mbrojtës, Saimir Visha dhe Arjan Selati, të cilët e quajtën si të pavlefshëm procesverbalin e dytë të mbajtur nga gjashtë efektivat e Policisë së Durrësit, dy prej të cilëve agjentë të Antidrogës.
Sipas avokatëve, nga kontrolli i parë, siç rezulton në procesverbal, është gjetur vetëm një armë sportive dhe nuk flitet për asnjë sasi droge. “Automjeti që prej datës 27 janar ka qenë në posedim të policisë, ku Ledio Ruçi nuk kishte akses për ta përdorur, ndaj kontrolli i dytë i ushtruar vetëm pas tri ditësh, në prani edhe të dy agjentëve të Antidrogës, të cilët edhe në kontrollin e parë kanë qenë të pranishëm, nuk është i vlefshëm”, thanë avokatët.
Një tjetër fakt që ka shërbyer për të shpallur pavlefshmërinë e kontrollit të dytë ndaj Ruçit ka qenë data e shënuar gabim në procesverbalin e këtij kontrolli. Ai mban datën 25 janar dhe jo 30 janar. Sipas avokatëve urdhër-ndalimi ishte lëshuar pesë ditë para ndalimit të Ledio Ruçit, çka do të thotë se gjithçka ka qenë e stisur.
Pas 50 minutash seancë, gjyqtari ka dhënë vendimin e tij, duke rrëzuar në bazë të argumenteve kërkesën e prokurorisë. Ai ka deklaruar se bazuar në Kodin e Procedurës Penale, ndalimi më 30 janar i Ledio Ruçit është i paligjshëm, pasi kontrolli i kryer në makinë më 27 janar nuk kishte gjetur asgjë ilegale. Në këtë mënyrë u urdhërua lirimi i tij në sallën e gjyqit. Sapo ka mbaruar fjalën gjyqtari, Ruçi është lënë i lirë të dalë nga gjykata dhe të kthehet në Tiranë pas rreth 3 ditë izolimi.
Flet Ledio Ruçi: Akuzat, për të njollosur babanë tim
Ledian Ruçi, në sallën e gjyqit dhe menjëherë pas lirimit, ka deklaruar se kjo ngjarje ka dëmtuar imazhin e familjes së tij dhe se çdo gjë është inskenuar më parë. “Gjatë rrugës nga Gjirokastra e deri në Durrës nuk kam parë të më ketë bërë shenjë për të ndaluar asnjë punonjës i Policisë së Qarkullimit, përveç postbllokut të ngritur në Plepa.
Nuk është aspak e vërtetë që nuk kam respektuar policinë. Të gjitha akuzat e ngritura kundër meje janë të pavërteta. Kërkojnë që të njollosin emrin tim dhe të familjes sime duke hedhur baltë dhe stisur gjëra të paqena. Akuzat e ngritura kundër meje janë të gjitha të stisura.
Akuza e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike bëhet vetëm për të njollosur emrin e tij personal dhe të familjes Ruçi”. Kështu ka deklaruar Ledian Ruçi disa sekonda pasi gjyqtari i çështjes, Kastriot Selita, i ka komunikuar vendimin se ishte i lirë.
Ledian Ruçi, djali i kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, nuk ka pranuar se Policia e Gjirokastrës i ka dhënë shenjë për ndalim gjatë kohës që ky i fundit po udhëtonte në drejtim të Tiranës me mjetin me targa zyrtare TR 0141 Z.
Ndërkaq, po në dëshminë tij para trupit gjykues, 28-vjeçari sqaron se akuza e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike bëhet vetëm për të njollosur emrin e tij personal dhe të familjes Ruçi. Në asnjë moment, Ruçi nuk ka pranuar se lënda narkotike ka qenë e tij.
Ai ka folur dje në sallën e gjyqit, duke dhënë variantin e tij për ngjarjen që solli ndalimin dhe më pas kanë dhënë variantin e tyre dy avokatët mbrojtës, duke u bazuar në prova dhe ligjshmërinë e ndalimit.
(E.K/FAXWEB)
Discussion about this post