Nga Kastriot Myftaraj –
Turqia ndodhet në atë situatë kritike në të cilën gjendet shpesh në periudhën pasimperiale një vend i cili është trashëgimtar i një imperie (perandorie). Shkurt, historia e ka vënë Turqinë në provë, nëse është në gjendje të ruajë trashëgiminë imperiale të mbetur brenda kufijve të shtetit. Mustafa Qemali dhe të vetët, në atë që u quajt Lufta për Pavarësi në fillim të viteve njëzet të shekullit të kaluar ia arritën që ta kthejnë mbrapsht procesin e shpërbërjes së Imperisë Otomane, të inicuar nga fuqitë e mëdha fituese në Luftën e Parë Botërore.
Me kalimin e kohës doli se trashëgimia problematike imperiale (popullsitë e mëdha kurde, alevite etj.) nuk u trajtua nga regjimi i ri si një problem real, por u pa si diversion ndaj shtetit turk. Edhe konflikti mes laikëve dhe islamistëve politikë, që në fakt e ka origjinën që në kohën e reformave të Tanzimatit, për modernizimin e Imperisë Otomane, u pa nga elita ushtarake që krijoi dhe kontrolloi Turqinë e re, në terma operacionalë ushtarakë, jo në terma të reformave shoqërore. Islamistët politikë u panë si robër lufte të mbetur në Republikën e re nga Sulltanati, të cilët duheshin mbajtur në diçka si kampe përqëndrimi në shoqërinë e re turke. Nuk u mendua kurrë për një zgjidhje përfundimtare të problemit që paraqesnin ata. E shumta u provua që ata të nxiten të luftojnë kundër njëri-tjetrit.
Ashtu siç ndodh gjithmonë kur islamistët politikë vijnë në pushtet, del prej tyre një grup që është më ekstremist në agjendën e islamizimit të shtetit. Kështu ndodhi në Turqi me Gulenin, i cili kishte qenë aleat i Erdoganit. Guleni zbatonte një agjende personale subversive, sipas së cilës nuk ishte e nevojshme që në fillim të ndryshohej Kushtetuta dhe ligjet e tjera laike, por e rëndësishme ishte që njerëzit e tij të zinin pika të rëndëishme në institucionet shtetërore. Kur Erdogani erdhi në pushtet, Gulen i ofroi mbështetjen e tij për të përshpejtuar agjendën e islamizimit të shtetit. Por Erdogani i cili vepronte në Turqi, bënte analizën e raportit të forcave, të vetat dhe të laikëve, dyshonte se Gulen kërkonte ta tërhiqte në aventurë. Tekefundit, Gulen ishte jashtë Turqisë dhe koston do ta paguante Erdogani me të vetët. Prej këtej armiqësimi i Erdoganit me Gulenin.
Gjithashtu, ashtu siç ndodh gjithmonë me ekstremistët që vijnë në pushtet, edhe islamistët politikë të Erdoganit u treguan më të interesuar për ta treguar ekstremizmin e tyre në politikën e brendshme për të marrë vendin nën kontroll të plotë, se në politikën e jashtme, ku bënin veç gjeste propagandistike. Kjo politikë bëri që islamistët politikë turq të Erdoganit të armiqësohen me Shtetin Islamik (ISIS) që i shikonte si tradhtarë të kauzës së Khalifatit Islamik për të cilin duhet të luftonin të gjithë muslimanët. Për këtë arsye, regjimi i Erdoganit, në praktikë Turqia, u bë shënjestër e atentateve të ISIS.
Duke qenë se të gjitha këto forca, kurdë, gulenistë, ISIS, laikë, alevitë nisën të bashkëveprojnë me ose pa vetëdije kundër regjimit të Erdoganit dhe në praktikë kundër shtetit turk, ky i fundit u gjend në një situatë rreziku serioz.
Që atëherë Turqia ka hyrë në një spirale dhune që një shtet modern dhe Turqia është padyshim i tillë, nuk mund ta përballojë gjatë duke e shndërruar në normalitet, si kaos të kontrolluar. Shteti turk e ka kapacitetin ushtarak-policor, madje me të tepërt. për të reaguar me dhunë të shpërpjestuar në situaën e krijuar, sipas modelit të Rusisë në Çeçeni, me qëllim që të ndalojë terrorizmin në vend. Për momentin shteti turk, që në këtë situatë do të thotë Erdogan, nguron që të veprojë madje edhe të shprehet kështu, pasiqë trembet se mos shkallëzimi i reagimit ndaj terrorizmit shkakton pasojën e padëshiruar të kaosit të përgjithshëm në vend.
Problemi me Turqinë është se në një territor të madh shtetëror janë përqëndruar probleme të mëdha, ndër të cilët ai kurd dhe ai alevi, të dy aspirojnë për zgjidhje shtetërore në pjesën lindore të vendit. Bërthama turko-suni e shtetit është e ndarë thellë nga konflikti mes islamistëve politikë dhe laikëve.
Prandaj, SHBA, Bashkimi Europian dhe Israeli e shikojnë madhësinë territoriale të Turqisë si një pjesë të rëndësishme të problemit që paraqet ajo dhe mendojnë se zvogëlimi i territorit të saj përbën një zgjidhje për problemet e tashme të vendit. Prandaj, SHBA, BE dhe Israeli po shqyrtojnë skenare që i bëjnë jehonë agjendës së dikurshme të shpërbërjes së Imperisë Otomane, proces që për Perëndimin ka mbetur përgjysëm në kohën kur ndodhi.
Zgjidhja do të kishte si pikënisje ndarjen e Turqisë së sotme në vijën Sinop-Adana. Territori në lindje të kësaj vije, pak më shumë se gjysma e territorit të Turqisë së sotme, do të ndahej midis një shteti kurd dhe një shteti alevit (turq të sektit alevit). Kuptohet me disa lëvizje të popullsisë nga një territori i ri shtetëror në tjetrin. Pjesa tjetër, Turqia perëndimore, do të formonte një shtet turk sunit. Në fantazinë e Perëndimit, të tre shtetet do të jenë në varësi të Perëndimit dhe të anëtarësuar në NATO.
Por në realitet gjërat mund të shkojnë ndryshe. Shteti alevit, pra shia, i dalë nga Turqia mund të bëhet fare mirë një aleat i ngushtë i Iranit. Gjithashtu, shteti alevit me shumë mundësi do të bëhet antikurd, për shkak se Irani është në thelb antikurd, pasi projekti i shtetit kurd rrezikon integritetin e Iranit.
Sidoqoftë, drejt realizimit të këtij skenari të ndarjes së Turqisë, do të shkojë, në mënyrë të pashmangshme ky vend nëse Erdogan, ose dikush tjetër pas tij, me shumë mundësi një gjeneral diktator, nuk arrin të ndalë valën e terrorizmit në vend.
Turqia është një “Jugosllavi” shumëetniko-fetare në portën juglindore të Europës. Deri më tani Erdogani po reagon ashtu si Milosheviçi, në periudhën e tij të parë, kur donte ta mbante të gjithë Jugosllavinë të nënshtruar me forcë. Koha do të tregojë se deri ku do të guxojë të shkojë Erdogani në këtë rrugë. Gjithsesi, Erdogani e di se nëse ai dështon që ta ndalë valën e terrorizmit, atëherë do të humbë edhe mbështetjen e ndjekësve të tij dhe do të rrëzohet nga pushteti me një grusht shteti ushtarak, të cilin do ta përshëndesin edhe 85 mijë xhamitë e Turqisë që korrikun e kaluar ishin me Erdoganin.
Ushtarakët turq parapëlqejnë që të jenë politikanët ata të cilët do të bëjnë pjesën më të pistë të punës, ndërsa gjeneralët të thonë se kanë zbatuar urdhrat politikë. Prandaj ushtarakët turq parapëlqejnë që të jetë Erdogani në pushtet ai që do të japë urdhrat për operacione drastike për ndalimin e valës së terrorizmit në vend. Rusia arriti sukses në Çeçeni vetëm pasi ua bëri të qartë çeçenëve se ata do të paguanin një çmim shumëfish më të lartë se Rusia në këtë luftë. Në situatën që është Turqia sot, ky objektiv nuk mund të arrihet veçse me rreth një milion të vrarë dhe nja 5-6 milion të deportuar në kampe përqëndrimi vdekjeje në zona të shkreta, në tre-katër vitet e ardhshme. A ka kurajë Erdogan për ta bërë këtë? Gjithsesi, edhe procesi i ndarjes së Turqisë, do të kërkojë me siguri me shumë të vrarë dhe të dëbuar, disa herë më shumë se lufta në Siri. (A.R/SHUPLAKA)
Discussion about this post