Nga Ylli Përmeti
Procesin e zhvendosjen së të varfërve nga vendbanimet dhe zëvendësimin e tyre me ndërtesa që përputheshin me shijet e klasës sunduese —luksin— në vitet ’60, një studiues britanik e quante “gentrification”.Ky term buron nga fjala “gentry” dhe lidhet ngushtë me njerëzit që pronësojnë tokat, të cilët, falë elitave filluan të përdornin pronat e tyre për të realizuar shijet e elitave. Domethënë, të ndryshimit të qendrave urbane nga modeste në luksoze. Me ‘modeste’ këtu kuptohen qendrat që ngarkohen me pak zbukurime ose qendrat “parimore”, për të cilat do të flas në vazhdim; dhe me ‘luksoze’ qendrat që zbukurohen me shumë zbukurime ose qendrat “joparimore”. Kjo qasje buron nga një politikë reaksionare: sepse synohet të mësohet njeriu i varfër me jetën ‘luksoze’ të elitave përmes qendrave të tilla. Konformimi i njeriut me ambientin që e rrethon është vrojtuar nga shumë studiues veçanërisht nga psikologët që u shërbejnë elitave. Ndaj dhe kur njeriu ekspozohet në qendra të tilla ai konformohet (ose përshtatet) lehtësisht në shijet e elitave. Dhe ky është synimi i politikës që qendron pas investimeve të qeverisë “Rama”, pas së cilës qendron BE-ja dhe institucionet ndërkombëtare: sepse janë këta të fundit që hartojnë dhe financojnë —duke shkëmbyer sovranitetin tonë politik dhe ekonomik— rikonceptimin e qendrave urbane në Shqipëri. Qeveria jonë, në këtë proces, është thjesht ‘ekzekutore’.
Kjo është njëra anë e problematikës, për të cilën jo detyrimisht është në djeni qeveria “Rama”: sepse këto politika kanë dekada që janë konkretizuar nga elitat perëndimore dhe jo vetëm; tjetra, është e natyra e institucioneve tona: ato strukturohen nga individë që burojnë nga partitë dhe veçanërisht nga shijet dhe epshet e “njëshit”: kryeministrit.
Kështu, për shembull, në krye të bashkive qendrojnë njerëz që miratohen së pari nga “njëshi”. Këta njerëz përputhen me shijet dhe epshet e “njëshit” nëse duan të qendrojnë në pushtet. Se çfarë shkakton kjo qasje është vërtet interesante: sepse njerëzit që strukturojnë bashkitë (burokratët) veprojnë njëlloj në raport me “njëshin” e bashkisë siç veprojnë “njëshat” e bashkive në raport me “njëshin” e shtetit.
Në rastin e rikonceptimit të qendrave urbane, këta njerëz përshtaten në shijet dhe epshet e “njëshit” që qendron në qendër. Në qendër, “njëshi” ynë, dihet se është piktor dhe ka shijet e tij artistike. Shijet e tij janë kryesisht abstrakte. Abstraksioni si disiplinë piktoreske buron kryesisht nga gjendja psikologjike e piktorit.
Gjendja psikologjike, me rradhë, krijohet nga kushtet e jetës në të cilët ekspozohet njeriu. Nuk është e rastit që ‘abstraksioni’ si nëndisiplinë piktoreske lindi në fund të mesjetës. Piktorët, sidomos piktorët e mëdhenj, me rredhë, parafabrikojnë ‘shijet’ e njerëzve me të cilët ndërveprojnë, kryesisht ‘shijet’ e elitave: sepse vetëm anëtarët e elitave mund ta blejnë artin e tyre. Kështu krijohet ideologjia e ‘shijeve’ në art dhe arkitekturë. Në këtë dinamikë, mes “njëshit” dhe artistit, arkitektët e qendrave urbane përshtaten te shijet e tij dhe operojnë analogjikisht. Kjo është arsyeja që arkitektët kanë zbatuar qasjen ‘luksoze’ për qendrat urbane: sepse shijet e “njëshit” të tilla janë.
Ky është shkaku kryesor se pse qendrat urbane kanë ato karakteristika; tjetri, është se vetë arkitektët zhvillohen dhe kualifikohen në një disiplinë (por dhe shoqëri) ku luksi nuk kritikohet. Përkundrazi, këshillohet. Sërish, luksi duhet të kritikohet në raport me virtytet: sepse ai nuk i zhvillon ata. Si mund të zhvillojë virtytet një njeri kur zhytet në jetë luksoze? Në të vërtetë problemi me disiplinën e arkitekturës është i disafishtë: së pari, ai operon pa parime. Për shembull, parimet kryesorë që duhet të zbatojnë arkitektët në urbanistikë janë: ‘prakticiteti’, ‘thjeshtësia’ dhe ‘revolucionarizimi’. Koncepti i parë dhe i dytë nënkupton ‘kursim’ dhe rrjedhimisht lidhet drejtpërdrejt me ekonominë e një vendi; ndërsa i treti, lidhet me mendimin dhe veprimin ‘revolucionar’ —domethënë, me përmbysjen e praktikave egocentrike, individualiste dhe konsumeriste —shkurt, ‘veprime jovirtuoze’, me praktika në të mirë të tjetrit, shoqërisë dhe natyrës —shkurt, veprime virtuoze. ‘Revolucionarizimi’ i njeriut, në fjalë të tjera, është edukim përmes arkitekturës.
Së dyti, pikërisht sepse kjo disiplinë operon pa parime — është e kritikueshme nga populli i zakonshëm. Rikonceptimi i qendrave urbane në Durrës, për shembull, jo vetëm që kritikohet për faktin se brenda tre-katër vjetëve u ribënë shumë qendra (bulevardi i Plazhit është ribërë dy herë brenda të njëjtës periudhë!), dhe rrjedhimisht, kostua e tyre bëhet e lartë, si nga ana e administratës ashtu dhe nga ana e banorëve, të cilët vuajnë kaosin e përhershëm ndërtimor, veçanërisht shtresat sociale që përdorin urbanin për qarkullim brenda qytetit, por edhe për rezultatin përfundimtar: se qendrat nuk i shërbejnë —praktikisht— banorëve. Pa përmendur vizitorët. Fakti që një njeri i ‘pakualifikuar’ kritikon një njeri të ‘kualifikuar’ në arkitekturë dhe estetikë, tregon shumë për këta të fundit: se ata ose s’janë të kualifikuar, ose përshtaten në shijet dhe epshet e “njëshit” ose të dyja bashkë. Gjykuar ngasa u analizua më lartë – arkitektët lundrojnë nga pak në të dyja.
Se çfarë nënkupton më tej kjo qasje urbane është se klasat e varfëra do të kënaqen me botën ku ekspozohen dhe do ta lakmojnë atë. Nuk është e rastit që në Shqipëri bota materiale lakmohet thuajse nga të gjithë. Efekti tjetër që ka kjo qasje, mbi shtresat e ulta të shoqërisë, nuk është vetëm konformimi, meqënse jokonformizmi me botën që na rrethon buron nga niveli i emancipimit, por dhe mungesën totale në veprime revolucionare. Ata që përpiqen ta ndryshojnë këtë proces e kanë vështirë dhe mund të përballen me dukuri mjaft zhgënjyese. Për shembull, një punëtori të shërbimit urban po i thosha së fundmi se unë kam një “ideal”: të pastrojmë automjetet private nga bulevardi i Durrësit dhe të udhëtojmë ne nevojtarët si njerëz; të kërkojmë ngritjen e rrogës tënde dhe vënien në punë të kondicionerëve në urban dhe kështu edhe të rriten kushtet e mira të punës edhe ne udhëtojmë si njerëz por edhe me turistët nuk turpërohemi. Përgjigjja që mora ishte: më jep 100 milion lekë të vij pas teje se unë s’i kuptoj ‘idealet’! Sidoqoftë, nuk janë të gjithë punëtorët njëlloj. Por përgjithësisht populli ynë është përfshirë në dekadencën e përgjithshme të shoqërisë.
Mund të konkludohet se problemi ynë nuk është kryeministri. Por është populli. Në kohët tona, të dijes falas që qarkullon në internet, edhe nëse elitat janë reaksionare, siç janë, populli ka mundësi të vetë-edukohet dhe kuptojë politikat e elitave dhe, të kundër-veprojë analogjikisht. Sidoqoftë, jemi ende në fazën e parë të dijes falas dhe të vetë-edukimit. Një gjeneratë e re do të lindë nga kjo fazë. Ajo, në vërtetë, është duke lindur, nëse gjykojmë nga revolta e anarko-komunistëve përgjatë korrikut të vitit 2017-të në Gjermani. Apo nga pjesëmarrja e studentëve në protestat kundër reformës në arsimin e lartë dy vitet e fundit: ajo ishte e konsiderueshme. Por duhet të jemi të kujdesshëm sa u përket revoltave dhe protestave. Anarko-komunistët ende s’kanë përqafuar ndonjë projekt. Dhe pa ‘projekt’ ata do të mbeten gjithnjë rrugëve: sepse elitat kapitaliste janë më të organizuara. Ndërsa studentët s’e kanë kuptuar ende se arsimi publik gjendet në sulm për shkakt të orientimit tonë si vend për t’u integruar në Rendin Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal, i cili në anën tona shprehet me integrimin në BE. Domethënë, vendosja e universitetit publik në konkurrencë dhe hapja e tij kundrejt kapitalit privat. Kjo është pasojë e orientimit tonë. Nuk është, në fjalë të tjera, qeveria “Rama” e keqe, siç e paraqesin shumë. Por është orientimi ynë që detyron qeverinë të imponojë politikat përkatëse. Kështu kuptimi i Rendit të Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal —një detyrë që u takon të ashtuquajturve pedagogë për ta bërë të kuptueshëm— mund të çojë në revolucion ‘nga poshtë’. Pa këtë lloj kuptimi dhe rrjedhimisht, organizimi politik, ne nuk mund t’i kundërshtojmë politikat përkatëse. Rastin e arkitektëve, për shembull, ne mund ta kundërshtojmë pikërisht nga qasja e mungesës së parimeve: se pa parime, asnjë art nuk mund të jetë njerëzor – domethënë, art që buron nga intelekti i njeriut…
Si ta kuptojmë një artist që është pa parime në art?
Kur dëgjon dy artistë, të së njëjtës disiplinë, dhe nuk pajtohen për natyrën e artit. Shpesh ata kritikojnë njëri-tjetrin, jo nga këndvështrimi ‘parimor’ por nga këndvështrimi i ‘pëlqimit’. Domethënë, “mua më pëlqen kështu apo ashtu”. Por ‘pëlqimi’ nuk është kriter shkencor: sepse ai lidhet kryesisht me gjendjen psikologjike të njeriut dhe jo me parimet artistike. Për shembull, kur ‘pëlqejmë’ një ushqim, ne e provojmë në gojë, dhe në bazë të shijeve tona, ose e pëlqejmë ose jo. Por ‘shija’ nuk është kriter shkencor. Ajo gjithashtu lidhet me gjendjen fiziologjike të njeriut. Kur provon një shef një ushqim, ai vërtet e ‘pëlqen’ apo jo një ushqim por ai ka kritere deri diku shkencore në mendje. Domthënë, përzierjet e substancave dhe arsyet pse ato janë përzier në atë mënyrë. Ndryshimi midis njeriut të zakonshëm dhe shefit në ushqim është i madh dhe më i vërtetë është shefi. Por ‘vërtetësia’ e tij kalon nga ‘shija’ e njeriut të zakonshëm që e provon. Nëse këtij të fundit i ‘pëlqen’ – shefi është përputhur me gjendjen fiziologjike të njeriut. Dhe përputhja me gjendjen e tjetrit është vërtet e vështirë por është në fund të fundit realizim dhe një lloj shkence e veçantë: sepse shefi procedon në mendjen e tij substancat që përputhen e çdo shije. Ky është një shef i vërtetë dhe mund të konsiderohet pa asnjë mëdyshje një mjek: sepse edhe mjeku përpiqet të përputhet me sëmundjen e veçantë. Por ndryshimi është se shefi përputhet me nevojat e veçanta. Shkurt, mjeku e kuron sëmundjen; shefi e parandalon atë.
Ndyshimi midis shefit dhe artit pamor (arkitekturës etj.) është i madh: sepse ndërsa shefi duhet të përputhet me çdo shije, arkitekti duhet të përputhet me shijen e përgjithshme. Për t’u përputhur me shijen e përgjithshme –dhe veçanërisht në ndërtimet publike- ai ka nevojë për parime të përgjithshme. Ndaj ‘prakticiteti’, ‘thjeshtësia’ dhe ‘revolucionarizimi’ janë vetëm disa parime kryesore. Ndaj dhe parime të tjerë ai duhet të përdorë: një tjetër ‘parim’ i rëndësishëm është bukuria. Por çfarë është ‘e bukur’ për njerin s’është për tjetrin. Kështu që nevojiten edhe për bukurinë ‘parime’ të tjerë. Një parim që lidhet me të bukurën është natyra: sepse thuajse gjithçka qe ajo krijon është e bukur. Përputhja me ‘bukuritë’ e saj do të ishte një parim. Por ky parim s’mjafton në art: sepse arti nuk është vetëm imitim. Por dhe inovacion. Një artist i vërtetë është ai që portretizon bukuritë e natyrës por dhe krijon arte që tejkalojnë bukuritë e saj. Siç citon Aristoteli:
Gjithë arti lidhet (ose shqetësohet) me krijimtarinë, domethënë, me shpikjen dhe konsiderimin se si diçka mund të krijohet e cila mund të lindë ose jo, dhe origjina e tij është te krijuesi dhe jo tek krijimtaria; sepse arti nuk lidhet as me gjërat që janë ose që lindin nga domosdoshmëria, as edhe me gjërat që bëhen në përputhje me natyrën (meqënse ato e kanë origjinën në veten e tyre). Kështu nëse bërja dhe veprimi janë të ndryshëm, arti duhet të jetë një çështje bërje, jo e veprimit. Dhe në një kuptim rasti dhe arti lidhen me të njëjtat çështje; siç thoshte Agathoni: ‘arti dashuron rastin dhe rasti dashuron artin’. Arti, rrjedhimisht, siç është shqyrtuar, është një gjendje që lidhet me bërjen, që përfshin një rrjedhë të vërtetë arsyetimi, dhe mungesa e artit është një gjendje që lidhet me bërjen por që përfshin një arsyetim të gabuar; të dy lidhen me të ndryshueshmen…arti portretizon të përgjithshmen, jo një gjë që ka qenë, por një lloj gjëje që mund të ekzistojë. Arti përfshin imitimin dhe inovacionin’.
Në teroinë e tij të estetikës Aristoteli flet për ‘katharsis’, ose dëlirjen e emocioneve përmes dhembshurisë dhe frikës…kryesisht kur bëhet fjalë për tragjedinë teatrale. Qartësisht, artet ndryshojnë dhe procedojnë nga arsyetimi i vërtetë. Kështu ‘bukuria’ në nivel risie lidhet me shpirtin: ajo duhet ta zbukurojë atë më shumë se ç’e zbukuron natyra ose ndryshe nga natyra… / Marrë nga Shqiperia Jonë
Linku ku ndodhet artikulli, Kliko Këtu