Mbështetës të Partisë Socialiste kanë komentuar ditët e fundit mundësinë e pengesave ligjore për ceremoninë e betimit të Presidentit të ri të Republikës, Ilir Meta.
Përveç dashakeqësisë politike, argumentet që sillen nga ta nuk kanë asnjë bazë ligjore.
Kuvendi është thirrur me dekret të Presidentit në detyrë, Bujar Nishanit, për t’u mbledhur më datën 24 korrik për ceremoninë e betimit të Presidentit të ri. Siç mëson ”Shuplaka” në këtë mënyrë, ceremonia e betimit është një proces ligjor që nuk mund të pengohet nga pjesëmarrja ose jo e deputetëve të caktuar të Kuvendit.
Deputetët e Kuvendit e kanë detyrim kushtetues pjesëmarrjen në seancë, pasi e kanë zgjedhur me votë dhe duhet të respektojnë dekretin e Presidentit. Por edhe sikur një pjesë e tyre të mungojnë, kjo nuk e bën ceremoninë të pavlefshme sepse mjafton që në sallë të ketë edhe një prani minimale deputetësh.
Nga pikëpamja ligjore, të gjitha pretendimet e hedhura në media apo rrjete sociale nuk qëndrojnë, për sa kohë që proceduara parlamentare nuk paraqet asnjë pengesë për ceremoninë dhe pjesëmarrjen e ligjvënësve.
Burime nga stafi i Ilir Metës bëjnë të ditur se presidentit të zgjedhur i mjafton bashkëpunimi me kreun e shtetit Bujar Nishani për ceremoninë e betimit. Presidenti i ri betohet dhe merr detyrën më 24 korrik.
Të njëjtat burime i bëjnë thirrje atyre që janë “shqetësuar” për këtë çështje që të mos mërziten. ”Nëse dikush ka probleme me temperaturat e larta në këto ditë korriku, i këshillojmë që të shkojnë në bregdet ose në mal pasi z. Meta i mjafton vetëm bashkëpunimi me z. Bujar Nishani për të përmbyllur siç duhet procedurat”, thotë një burim me ironi, pa dashur të identifikohet.
Kujtojmë që dje Nishani dekretoi thirrjen e Kuvendit në seancë të posaçme, sipas nenit 74 të Kushtetutës. Betimi i kreut të shtetit është një proces formal që nuk ka asnjë lidhje me vijimin e mandatit. E thënë ndryshe, nëse në seancë nuk vijnë deputetët, janë këta të fundit që shkelin Kushtetutën, sepse marrja e detyrës së Presidentit vijon normalisht. (V.G/SHUPLAKA)