Në mbledhjen e Task Forcës qendrore në luftën kundër kanabisit, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj dha një ultimatum për punonjësit e policisë, ku u shpreh se çdo bimë kanabisi që do të kapet pas 15 Qershorit do të jetë përgjegjësi direkte e tyre.
Lleshaj tha se vendi prej dy vitesh ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm në luftën kundër kanabisit, e megjithatë ka ende shumë punë për të bërë.
“Pas një historie të gjatë të lindjes, të rritjes, zhvillimit të këtij fenomeni në vendin tonë, po bëhen të paktën dy vite të një suksesi të madh, të jashtëzakonshëm, i cili ka bërë që vendi pothuajse të largohet tashmë nga harta e vendeve që e kultivojnë këtë bimë narkotike.
Megjithatë është shumë e rëndësishme për të gjitha institucionet shtetërore, të kuptohet qartë që lufta nuk është e përfunduar. Kemi pasur beteja të rëndësishme të fituara, me sukses, falë përkushtimit të të gjitha strukturave gjatë viteve të fundit, sidomos në dy vitet e fundit, por kjo nuk është arsye për relaks.
Kërkohet nga të gjitha strukturat angazhim i madh, thellimi i mëtejshëm i kësaj pune me qëllim që të shuhet çfarëdo lloj përpjekjeje në embrion, e cila synon të riaktivizojë në çfarëdo forme kultivimin e kësaj bime narkotike”, u shpreh Lleshaj.
“Çfarë kërkohet? Kërkohet kontroll rigoroz i territorit nga të gjitha strukturat e këtij shteti, të cilat kanë përgjegjësi për monitorimin, kontrollin e territorit të vendit tonë.Policia e Shtetit, strukturat vendore, agjencitë e ndryshme, inspektoratet e të gjitha ministrive, të cilët kanë përgjegjësi për aspekte të veçanta, por të gjithë flasim për të njëjtin territor.
Dikush ka përgjegjësi në aspektin mjedisor, dikush në aspektin bujqësor, dikush në aspektin policor, dikush në aspektin tatimor e të tjera me radhë. Pra është e gjitha, janë një seri institucionesh të cilat kanë për detyrë të monitorojnë gjithçka ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë në shumë aspekte, por të gjithë duhet të kenë vëmendje të shtuar edhe për sa i përket luftës së shtuar kundër kanabisit, të gjithë. Kjo nuk është një detyrë e vetëm një institucioni, kjo është detyrë e të gjitha institucioneve.
Sigurisht që ne do të zhvillojmë edhe një proces shumë intensiv të monitorimit të specializuar, pra monitorimin që bën policia, monitorim që bëhet nga ajri përmes bashkëpunimit me partnerët tanë. Pra flas për monitorimin e specializuar, por roli dhe përgjegjësia e autoriteteve, qofshin ato vendore, qofshin ato qendrore në ndërhyrjet territoriale, mbetet i dorës së parë dhe theksoj përgjegjësi e drejtpërdrejtë e drejtuesve territorialë që veprojnë në çdo qark të vendit.
Mbetet me rëndësi të madhe të kuptohet nga të gjithë të pranishmit këtu që çdo bimë, çdo fidan që kapet, çdo farë që kapet në territorin e Shqipërisë deri në datën 15 qershor është meritë e juaja, e drejtuesve të Policisë, e drejtuesve të degëve territoriale e me radhë.
Çfarë kapet pas datës 15 qershor në Republikën e Shqipërisë është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e secilit prej jush dhe kuptohet e njerëzve tuaj. Pra është një datë, 15 qershori e cila mban përgjegjësinë.
Deri më 15 është meritë e juaja çfarëdo që do të kapet në territorin e Shqipërisë, pas datës 15 qershor çfarëdo që kapet në territorin e Shqipërisë është përgjegjësi e juaja e drejtpërdrejtë, dhe në funksion të kësaj detyre të qartë dhe pa ekuivoke duhet të organizohet puna e të gjithë strukturave, qendrore dhe vendore, e task forcave në të gjitha nivelet, si e Task Forcës Qendrore që drejtohet nga zonja Voda, apo e task forcave në nivelin vendor, për të koordinuar përpjekjet dhe për të bërë gjithçka të mundshme njerëzore që ky fenomen të mos ketë shans riaktivizimi apo vijimi.
Kjo është një detyrë dhe përgjegjësi e niveli të parë, qoftë zyrtar, qoftë qytetar, qoftë kombëtar. Për secilin prej jush dhe përmes jush, për secilën prej strukturave për të cilat ju jeni dhe mbani përgjegjësinë shtetërore”, deklaroi mes të tjerave Lleshaj.
(E.K/Faxweb.al)