Mbrëmjen kaluar, rreth 50 minuta pas mesnate, Partia Demokratike dorëzoi listat e kandidatëve të saj për zgjedhjet e 25 qershorit. Mirëpo në fakt, PD kishte afat deri në mesnatë për ta bërë një gjë të tillë.
Lidhur me listat e PD-së kanë reaguar edhe analistë të njohur si Andi Bushati, Andi Bejtja, Lutfi Dervishi apo edhe Enton Abilekaj.
Në një shkrim për Syri.net, Bejtja e komenton listën me termin “Konti i Monte Kristos”, ndërsa Andi Bushati për Lapsi.al, shkruan se të harruarit nga Basha në lista, nuk janë “djegur” me asnjë nga kriteret që mund të pretendohen. Aq më pak me atë të “rinovimit”.
Kujtojmë se në listat e PD-së mungonin mjaft emra të rëndësishëm të PD-së si Majlinda Bregu, Jozefina Topalli, Ridvan Bode apo Astrit Patozi. Por nga ana tjetër ka edhe emra të rinj në politikë si dekanja Valentina Duka, analisti Preç Zogaj, Romeo Gurakuqi, Oriola Pampuri apo edhe Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit..
Ndërkohë Enton Abilekaj dhe Lutfi Dervishi, përmendin në veçanti përjashtimin e Astrit Patozit nga lista.
“Largimi i tij, i rrëzon të gjitha justifikimet për zhdukjen e mendimit ndryshe.”, shkruan Abilekaj.
REAGIMET
Andi Bejtja:
Një Konte Montekristo pa arsye …
Teksa shikoj listën e deputetëve të PD-së që do përballen në 25 qershor, më vjen vetvetiu në mendje viti 2005 kur ish-lideri i PD-së Sali Berisha u kujdes të bënte një listë sa më gjithëpërfshirëse.
Madje shkoi aq larg sa përfshiu në lista dhe të ashtëqujturit armiq të tij, deri dhe ata që kishin hipur në tanke në ‘97. Ishte një liste fitoreje. Sot kemi një liste ku është e pamundur të dallohen kriteret, ku shikohet që lëviz dora hakmarrëse e një Konti Montekristoje, e një Konti që hakmerret pa arsye, sepse askush nuk i ka bërë asgjë në të kaluarën, as e ka futur në burg as i ka marrë të dashurën.
Boh, e pakuptueshme po kjo nuk është një liste fitoreje…
Dikush me tha sot në mëngjes se lista është bërë duke patur parasysh se po bëhet gati të jetë pas zgjedhjeve në një ndërmarrje të përbashkët me liderin e PS-së. Dikush tjetër me të drejtë më tha; në çdo ndërmarrje të përbashket do hysh me aksionet e tua, sa më të larta ti kesh aq më mirë.
Kjo listë Jo vetëm që e le Ramën King, i shton dhe një Maker.
Sot ai është dhe King dhe King-Maker. Demokratë mos kujtoni se Big Mak-un do e hani përgjysem edhe pse mund të uleni në një tavolinë.
Andi Bushati
Lulëzimi i republikës së vjetër
Pasi u zbyth nga të gjitha premtimet që kishte bërë në çadër duke i siguruar PD asgjë më shumë sesa një humbje të sigurtë, pasi me propozimet për qeverinë tregoi se nuk mund të shkojë më larg sesa klientela e qeverisë së vjetër Berisha, Lulzim Basha nuk mund të surprizonte me profilin e ardhshëm të grupit parlamentar.
Listat e deputetëve që ai dorëzoi këtë të premte janë një shembull flagrant kontradiktëve dhe mungesës së koherencës.
Po të shihet se cilët njerëz ka larguar Basha nga grupi i PD askush nuk mund të gjejë kriteret që janë përdorur.
Në fillim duket sikur pastrimi i listave nga Topalli, Bode, Imami, Ruli, Patozi që përbënin kupolën drejtuese të qevrerisjes 8 vjeçare 2005- 2013 është një përpjekje për distancim nga e shkuara. Eshtë një reflektim për dështimet e një pushteti klientelist, të korruptuar dhe arrogant.
Por nga ana tjetër askush nuk mund të besojë se qëllimi i vërtetë ka qenë ndjesa dhe reflektimi derisa në lista është mishërimi i të gjithë këtyre veseve dhe mëkateve, Sali Berisha. Pra askush nuk mund të pretendojë se Basha po distancohet nga berishizmi në pushtet duke propozuar Sali Berishën për deputet.
Duket qartë se emrat e mësipërm nuk janë “djegur” me asnjë nga kriteret që mund të pretendohen. Aq më pak me atë të “rinovimit”.
I njëjti arsyetim vlen edhe për fshirjen nga listat të Majlinda Bregut dhe të Eduar Selamit. Po të ndiqen kriteret normale politike, sipas të cilave individi avancon kur ideja që mbron del fituese, ata duhet të ishin sot edhe më lart se Lulzim Basha në lista. Për një periudhë të gjatë ata mbajtën qëndrimin se në zgjedhje duhet të shkohej edhe me Ramën kryeministër, se PD-ja duhet të dëgjonte ndërkombëtarët, se partia e dhjetrorit ’90, nuk e kishte luksin të prishej me perëndimin.
Në fund, pavarësisht prej përbetimeve qesharake të Lulzim Bashës se ai nuk pyetse as për Daul as për Merkel pasi mbronte një kauzë të drejtë, u bë siç thoshin Selami dhe Bregu. Por paradoksalisht në vend që të promovoheshin ata u ndëshkuan.
Natyrisht e di se sot fanatikët e Bashës, mund të thonë, se atyre nuk i’u vu fshesa për këtë gjë, por se ishin treguar miqësorë ndaj Ramës. Se ata nuk e kishin kritikuar kurr kryeministrin dhe qeverinë e drogës. Pra, se ata po largoheshin pasi kishin rënë në prehërin e armikut dhe i ishin dorëzuar joshjeve të tij.
Por përsëri edhe këtu ka një kontradiktë të pakapërdishme. Nsëse ky argument vlen për kritikët si Bregu dhe Selami, ai nuk është i vlefshëm për figura të PD-së si Topalli apo Patozi. Ata vërtet kanë qenë shpesh kritikë me Bashën, vërtet kanë këmbëngulur për të hyrë me çdo kusht në zgjedhje, por ata mbi të gjitha kanë qenë “të pamëshirshëm” me këtë qeverisje. Ata e kanë goditur fort, Ramën, Metën dhe katastrofën drejt së cilës ata po e drejtonin vendin.
Pra, Topallit dhe Patozit jo vetëm u triumfoi ideja e futjes në zgjedhje po ata janë edhe të pacënueshëm nga akuza se i mbrojtën këto ide të fryëmzuar apo të blerë nga kundërshtarët politikë.
Atëhere, pse u përjashtuan?
Kjo është një nga pyetjet që rëndon, sot me shpalljen e listave, mbi Lulzim Bashën.
Përgjigjja imediate e saj është e thjeshtë. Kreu i PD ka hequr qafe të gjithë ata që do t’i kërkonin llogari për disfatën e sigurtë të 25 qershorit.
Po të shkohet më tej: kjo listë nuk është asgjë më shumë sesa përdhosja e fabulës mashtruese të republikës së re. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, sepse ajo është vazhda e një logjike të kastës së vjetër që e detyroi Bashën të bënte një marëveshje të turpshme me Ramën dhe të propozonte për ministra (atëhere kur iu dha rasti të konturonte fizionominë e një PD-je tjetër) figura të konsumuara nga qeverisja e Berishës.
Lutfi Dervishi:
“Listat konfirmojnë që mendimi ndryshe, kritika, oponenca, – tolerohen, nxiten madje edhe vlerësohen!”
“Një njeri i korruptuar, një njeri që nuk di të lidhë dy fjalë me shkrim dhe me gojë, një njeri që ka qenë ministër dhe që ka abuzuar me postin, nuk e meritonte të ishte në listën e PD-së. Besoj e kuptoni që e kam fjalën për.. Astrit Patozi”
Enton Abilekaj:
Lista e Partisë Demokratike pritej të plotësonte, të konfirmonte apo të përgënjeshtronte tezat e Bashës, për një Republikë të Re. Janë njerëzit që zgjedh ata që do të bashkëpunojnë për ta zbatuar projektin politik, por jo vetëm kaq. Mënyra se si përzgjidhen përfaqësuesit politik, do të ishte matësi i besueshmërisë së tezave të hedhura nga Çadra.
Në pamje të parë, listat dukeshin si një ndarje nga e kaluara e Partisë Demokratike. Ish ministrat e PD dhe ish kryetarja e Parlamentit ishin zëvendësuar me emra të rinj. Brenda strukturave kjo lëvizje krijon një boshllëk që nuk mund të plotësohet me figurat e panjohura, mund të shkaktojë probleme në fushatë, mund të hapë akoma më shumë plagët e organizimit. Kjo mbetet një çështje e raportit të PD me zgjedhjet. Raporti me publikun lidhet me 100 ditët e Lulzim Bashës, që nga 18 shkurti, kur u konsiderua se mori vërtetë drejtimin e partisë në dorë.
Në 17 maj, me firmosjen e marrëveshjes, shumë prej mbështetësve të kauzës së zgjedhjeve të lira, kuptuan që nuk ishte ky qëllimi i vërtetë i Çadrës. Marrëveshja nuk parashikoi zgjedhje të lira, por hile që nxirrnin jashtë loje partitë e tjera, përqendrim të organizimit të zgjedhjeve nga dy partitë e mëdha, tjetërsim të vullnetit të popullit nga administrimi monopolist. Dy të mëdhenjtë do të luajnë tashmë në një terren të paqartë ku do të fitojë më i pasuri dhe më i forti. Me qëndrimet pas marrëveshjes, Basha la të kuptohet se nuk kishte hequr dorë nga qëllimi, por vetëm nga mjetet. Nuk do të ndiqej rruga e rezistencës, por rruga politikisht korrekte që praktikisht është një vazhdim i zgjedhjeve fiktive.
Deri në orët e para të 27 majit, diçka kishte mbetur nga justifikimet. Lista rrëzoi edhe rrënojat që kishin mbetur nga Republika e Re, e ndau përfundimisht PD nga shoqëria civile që i besoi kauzën e saj për 90 ditë. Jo vetëm se lista nuk u votua as në kryesi, jo vetëm se ishte një listë e hartuar nga 1 apo 2 persona. Aty ra vetëm parimi i demokracisë brenda PD, por nëpër emrat e listës, kanë rënë gjithë kauzat e opozitës. Ka rënë dekriminalizimi, investimi 3-vjeçar i opozitës. Emri i Dashamir Tahirit që u skualifikua prej ligjit që imponoi opozita, e kompromenton luftën 3-vjeçare që gjeti mbështetjen e publikut dhe e vuri Ramën në vështirësi.
Lulzim Basha vetëm pak ditë përpara marrëveshjes, doli në mbrojtje të Jozefina Topallit dhe Majlinda Bregut, duke deklaruar se mendimi ndryshe është vlerë në Partinë Demokratike. Ishin ditët e fundit të çadrës, kur ende nuk kishte zhgënjyer askënd. Sot ai e flaku këtë parim. Asnjë përfaqësues i mendimit ndryshe nuk është në listë, pavarësisht se askush prej tyre nuk votoi ndonjëherë kundër vendimit te grupit parlamentar, pavarësisht se me mendimin alternative ata mund të përfaqësonin shumë më tepër demokratë se emrat e panjohur dhe pa kontribute që i kanë zëvendësuar.
Në këtë grup, krejt i veçantë në mënyrën e tij, ishte Astrit Patozi, për të cilin të gjithë kanë deklaruar se ishte deputeti më cilësor i PD. Ai ishte imazhi tjetër i opozitës, që tregonte si do të ishte PD nëse korriku i 2013 do të kishte nxjerrë një rezultat tjetër brenda Partisë. Nëse largimin e ish ministrave mund ta justifikonte me konsumimin, largimin e Patozit jo, ai ishte investim. Largimi i tij, i rrëzon të gjitha justifikimet për zhdukjen e mendimit ndryshe. Ashtu siç e tha vetë Patozi, ishte akti i shndërrimit të Partisë në një biznes privat.
Lista gjithashtu demoralizon aktivistët, intelektualët apo të rinjtë që angazhohen në kauza të përbashkëta apo jo më opozitën. Në vend të tyre, janë disa punonjës administrate publike apo private, që heshtin derisa të sigurojnë vendin në listë, që rreshtohen kur i emëron partia, që i besojnë interesit personal në vend të të mirës publike. Këta janë emra që marrin nga partitë dhe nga shoqëria dhe nuk kanë c të japin përveç besnikërisë. Lista ishte një goditje ndaj angazhimit qytetar, Sazan Guri nuk është argument kundër.
Pas 100 ditëve të para të lidershipit, Basha gjendet në të njëjtat pozita morale me Ramën. Kauza e Çadrës është rrënuar nga themelet. Listat ishin përqeshja cinike që partitë i bëjnë publikut që besoi ndonjëherë se kauzat mund t’I realizojë nëpërmjet tyre, pa e shkatërruar sistemin, përqeshje për shoqërinë civile që u investua në krah të secilës parti, për të mbrojtur një kauzë të përbashkët, me shpresën që kështu mund të ndryshonte vendi. Nuk ishte zhgënjim, ishte konfirmim, se këto parti janë në shërbim të interesave të oligarkisë, të kastës ekonomike që kontrollon politikën dhe duhen trajtuar njësoj. (D.D/Shuplaka)