Në banesën e Gjergj Gjinit, babait të 51 vjeçarit Preng Gjini, një përfaqësues i klerit ka shkuar për të folur për ngjarjet kriminale që ka dyshime por jo të provuara deri më tani, me autor dhe viktima anëtar të familjeve Reçi dhe Gjini në Mirditë.
Burime të Fax News bëjnë me dije se kleriku ka bërë tentativë për qetësimin e marrëdhënieve mes familjeve Reçi e Gjini. Gjergj Gjini ka shprehur habi në momentin kur ka dëgjuar klerikun.
Sipas babait të Preng Gjinit, ai dhe familja e tij nuk ka konflikt dhe armiqësi me askënd dhe nuk ka me kë të pajtohet. Burime pohojnë se 51-vjeçari Preng Gjini, i cili u plagos nga atentati me tritol në datën 15 shtator në Tiranë, vijon të jetë në Turqi për mjekim më të specializuar.
Deri tani ai i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale për të rifituar njërin prej syve të dëmtuar që kanë dalë me sukses. Gjini pritet të kthehet në ditët në vijim në Shqipëri. Në lidhje me ngjarjen policia akoma nuk ka asnjë të arrestuar. (E.K/Faxweb.al)