Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak u miratua rritja e çmimit të ujit të pijshëm. Mbledhja nuk filloi në orarin që ishte përcaktuar, pra në 18:00, por rreth 50 minuta më vonë. Për këtë arsye këshilltarët e LSI-së ishin larguar nga salla, duke lënë të pranishëm vetëm këshilltarët e PS-së, PDIU-së dhe 1 të FRD-së.
Të pranishëm edhe këshilltarët e PD-së të cilët kërkuan të mos zhvillohej mbledhja sepse nuk kishte më kuorum. Madje pati edhe një debat midis kreut të Këshilltarëve të PD-së, Leonard Ollit, me kreun e Këshillit Aldrin Dalipaj. “I doni paratë për t’i futur në xhepat tuaj”, tha Olli.
“Në xhepat e kujt Nardi, i ke parë sa bëjnë makinat në oborrin e partisë suaj? Hadje mirëupafshim, rrugë të mbarë, suksese në jetë”, u përgjigj Dalipaj.
Pas këtij debati, Olli bashkë me këshilltarët e tjerë të PD-së u largua nga salla ku po zhvillohej mbledhja. Me largimin e tyre, si edhe të këshilltarëve të LSI-së nuk plotësohej kuorumi për t’u zhvilluar mbledhja.
Mirëpo ndërkohë që këta debatonin, në sallë u rikthyen Agim Kraja dhe Genta Mezini nga LSI-ja. Bashkë me këta, numri i anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Këshillit shkonte në 31, duke plotësuar kështu kuorumin.
Rritja e çmimit të ujit u votua me të gjitha votat e të pranishmëve, 25 anëtarëve të PS-së, 3 të PDIU-së, 2 të LSI-së dhe 1 të FRD-së.
Mirëpo pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, nisi paqartësia se çfarë kishte ndodhur vërtet në atë sallë. A ishte arritur kuorumi me të vërtetë? Kjo ishte pyetja që dukej se i shqetësonte të gjithë.
I pari që tha se vendimi ishte marrë në kushtet e mungesës së kuorumit ishte këshilltari demokrat Fabian Topollaj. Ai tha se dy përfaqësuesit e LSI-së nuk ishin ende këshilltarë.
“Pavarësisht se Veliaj pretendon, kuorumi nuk është arritur. Këshilli e nis mbledhjen vetëm nëse ka 31 këshilltarë të këshillit bashkiak. Zëvendësimi i mandatit, kur ikën një këshilltar dhe vjen një tjetër, e merr vendimin vetë këshilli. Kanë qenë 7 këshilltarë që janë zëvendësuar, dhe këta janë llogaritur në kuorum, individë pa qenë ende këshilltarë.”, ishin fjalët e Topollajt.
Ndërkohë, nënkryetari i LSI-së Luan Rama, deklaroi se vota e Krajës dhe Mezinit nuk përfaqësonin qëndrimin institucional të LSI-së, për arsye se ata nuk ishin këshilltarë të kësaj force politike në bashki. Madje për Mezinin deklaroi se nuk e njihte fare se kush ishte.
“Nuk e njoh fare kush është kjo (për Genta Mezinin). Koordinatorja e këshilltarëve të LSI-së e bëri të qartë përpara sesa të fillonte mbledhja qëndrimin e këshilltarëve të LSI-së, çdo lëvizje tjetër nuk ka të bëjë me qëndrimin e LSI-së.
Ata nuk janë këshilltarë të LSI-së dhe LSI ka mbajtur qëndrimin e vet përpara se të niste mbledhja. Edhe njëherë dua të theksoj, ne nuk jemi kundër asnjë vendimi që ka në bazë interesin qytetar, në rastin konkret, u larguam nga mbledhja sepse mbledhja nuk filloi në kohën e duhur. Qëndrimin e LSI-së e keni transmetuar, përmes koordinatores së këshilltarëve të LSI-së Eriona Bixha. Ata që votuan nuk janë këshilltarë të LSI-së.”, deklaroi Luan Rama.
Me deklaratën e Luan Ramës paqartësia u shtua edhe më shumë. A ishte konform rregullave prezenca e Genta Mezinit dhe Agim Krajës? Kjo ende ka mbetur për t’u sqaruar.
Pas gjithë kësaj paqartësie, ish-ministri Ylli Manjani i ka dhënë një shpjegim ligjor çështjes që debatit për kuorumin i zbeh sadopak rëndësinë për vendimmarrjen. Sipas tij, marrja e këtij vendimi nuk i takon fare Bashkisë së Tiranës, por Entit Rregullator të Ujit. Bashkia mundet vetëm të propozojë rritje apo ulje çmimesh, mirëpo ai që vendos në fund është ky Ent. Dhe vendimi nuk merret sipas dëshirës, por mbi bazë analize të performancës së UKT.
(D.D/Shuplaka)