Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel po zhvillon një takim zyrtar në Tiranë. Ai njihet si një kundërshtar i fortë i Kancelares Merkel, të cilën, në një fjalim në Bundestag e ka cilësuar thjesht si ‘llogaritare’.
Ai ka deklaruar në Parlamentin gjerman se ‘Gjermania nuk ka qeveri, është thjesht një organizatë joqeveritare dhe Merkel është thjesht një llogaritare’.
Sigmar Gabriel, nuk është njeriu i Angela Merkel, edhe pse mban postin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë.
Ai është politikan i majtë gjerman dhe kryetar i partisë ‘SPD’, kurse Merkel është kryetare e ‘CDU’, partisë kryesore të qeverisë gjermane, që është në aleancë me ‘SPD’.
Gabriel e ka nisur punën si ministër Mjedisi në vitin 2005 i shoqëruar nga një skandal, që nuk u zbardh kurrë. Ai i akuzua dhe u hetua lidhur me një pagesë si konsulent, të përfituar nga ana e kompanisë gjermane të prodhimit të makinave, VW.
Siç raporton ‘Deutsche Welle’ në një artikull që mban datën 24 nëntor të vitit 2005, Gabriel u hetua se kishte përfituar 100 mijë euro nga ‘VW’ teksa ishte partner në një firmë konsultimi ‘CoNeS’ dhe më pas e kishte fshehur atë nga autoritetet.
Ai është takuar me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe pritet të takojë të tjerë krerë të lartë politikë. Fokusi i vizitës së Gabriel është gjetja e një zgjidhjeje për krizën politike në vend.
Që nga java e kaluar zëra pranë qeverisë kanë deklaruar se vizita e Gabriel do ishte një presion për opozitën që ajo të hyjë në zgjedhje. Paralajmërimi i parë erdhi nga këshilltari i Kreut të LSI-së, Lorenc Vangjeli. Vangjeli i ftuar në ‘Opinion’ tha se nëse opozita nuk pranon të hyjë në zgjedhje, atëherë pasoja të forta do e presin duke nisur nga vizita e ministrit gjerman.
‘Ngjarjet nuk i përgjigjen më logjikës, dhe logjika e ka të pamundur të parashikojë ngjarjet. Kam përshtypjen se ka në Tiranë, nga ata njerëz që mendojnë se këtë javë, gjëra të çuditshme do ndodhin, të cilat do ndërrojnë kursin dhe rendin e gjërave. Do tentojnë t’i fusin gjërat në stabilitet sipas një slogani i cili është cinik por ka funksionuar gjithmonë: ‘Stabiliteti përpara standarteve.’ Ata që do kërkojnë të kundërtën do kenë pasoja të rënda.’
Pas Vangjelit, një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit Rama, Baton Haxhiu, po në emisionin ‘Opinion’, duke e lexuar në celular tha:
‘Ditën e hënë Ministri i Jashtëm gjerman, do vijë dhe do thotë: As mos mendoni se mund të ndaloni që zgjedhjet mund të mbahen në datën e caktuar, ato zgjedhje do të mbahen dhe pa opozitën.’
Këto deklarata të Vangjelit dhe Haxhiut, duken si një pasqyrë e konferencës së sotme të ministrit të jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel.

Në konferencë, Gabriel, foli për bojkotin duke e cilësuar të papranueshëm, dhe të patolerueshëm por nuk foli për standartet e zgjedhjeve. Gabriel nuk përmendi kauzën e opozitës, duke e cilësuar atë si ‘absurde’.
”Pas pak javësh kemi zgjedhje. Nëse deputetët nuk janë të kënaqur duhet ta anatemojnë në kuadër të fushatës elektorale. Pakicat duhet të pranojnë shumicën. Ka një farë frike lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi. Për ne është e rëndësishme që në varësi të Kushtetutës dhe ligjeve të vlefshme të zbatohet reforma në drejtësi. Apelojmë qeverinë dhe parlamentin të punojnë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.’
Asnjë nga mediat e pranishme në konferencë nuk e pyeti zyrtarin gjerman lidhur me çështjen e kanabisit, tonelatat e drogës që kapen përditë ose për paratë e krimit të cilat sipas OSBE-së, rrezikojnë të përdoren në zgjedhje.
E gjithë konferenca e ministrit gjerman u fokusua tek reforma në Drejtësi, ku ai e tha qartë se BE-së, i intereson zbatimi i reformës mbi gjithçka.
”Këtu në Shqipëri bëhet fjalë për zbatimin e reformës në drejtësi. Ajo që e dallon Europën nga vende të tjera të botës është zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës. Shteti ligjor duhet të sigurojë dhe garantojnë që në fund të ditës në qendër të vëmendjes do jetë interesi i qytetarëve dhe jo klikave të ndryshme.
Me shqetësim të madh dhe pa e kuptuar mirë shikojmë se reforma në drejtësi është duke u penguar. Parlamentarët e zgjedhur bojkotojnë parlamentin, në vendin tim dhe në Europë kjo është absurde. Në vend të kësaj mblidhen në çadër duke realizuar një opozitë përkundër parlamentit.’
Ministri gjerman nuk foli për situatën e mosbesimit që ekziston në vend për zgjedhje, situatë kjo e pranuar dhe nga aleati i Ramës, Ilir Meta. /Hashtag.al
LEXONI KËTU SHKRIMIN E PLOTË TË DW: http://www.dw.com/en/vw-scandal-touches-new-minister/a-1791578