Informacionet rreth gjendjes së tij shëndetësore janë të pakta, por mediat franceze kanë zbuluar hapin e radhës të familjes së legjendës së Formula 1, Michael Schumacher.
Shtatë herë kampioni i Botës në F1 ka udhëtuar drejt Francës ditën e sotme, ku është shtruar më pas në Spitalin Evropian “Georges Pampidou” në Paris. Sipas burimeve, ai ndjek një trajtim anti-inflamator të bazuar në infuzione të qelizave burimore.
Sipas “Le Parisien”, ish-kampioni i Formula 1, i cili u plagos rëndë në 2013 për shkak të një aksidenti me ski, duhet t’i nënshtrohej transfuzionit të qelizave staminale në trup, në mënyrë që të ketë një reagim “sistematik anti-inflamator”.
Trajtimi duhet t’i bëhet nga profesori Philippe Menasché, kirurg i famshëm kardiak, pionier i terapisë qelizore në trajtimin e insuficiencës kardiake. Menasché është gjithashtu në Këshillin Administrativ të Institutit të Trurit dhe palcës kurrizore.
Në spitalin ku është shtruar, Schumacher është vizituar sot edhe nga kirurgu ortopedik i famshëm Gerard Saillant. Menasché dhe drejtuesit e spitalit “Pompidou”, të kontaktuar nga media franceze, nuk konfirmuan ose mohuan llojin e trajtimit të cilit do t’i nënshtrohet Schumacher, duke u fshehur pas sekretit mjekësor.