Ka pasur tensione të forta paraditen e sotme në zonën e Astirit, për shkak se në zonë kanë mbërritur punonjës të IKMT-së, që kanë paralajmëruar banorët që të lirojnë banesat e tyre, deri ditën e hënë.
Në momentin që ka pasur një komunikim mes IKMT-së dhe banorëve, këta të fundit dyshohet se kanë dhunuar një punonjës, që sipas institucionit është plagosur rëndë.
Kjo situatë ka bërë që banorët të kalojnë në gjendje alerti, dhe të dalin në rrugë, pavarësisht reshjeve të shiut, që ditën e sotme kanë pushtuar kryeqytetin. Banorët këmbëngulin me forcë se ata nuk do të lirojnë banesat e tyre, dhe se situata e dhunës mund të përshkallëzohet.
“IKMT denoncon fort këtë akt barbar mbi punonjësin e saj dhe kërkon nga organet përkatëse të shtetit të marrin masat e menjëhershme për vënien para përgjegjësisë së autorëve. Po ashtu IKMT u bën thirrje banorëve dhe qytetarëve, se punonjësit e saj janë në shërbim të ligjit dhe komunitetit dhe nuk do të tërhiqen për asnjë moment nga detyrat e tyre, pavarësisht sjelljeve rrugaçerore, barbare dhe të paligjshme”, njofton IKMT.
Përplasja është konfirmuar për Fax News dhe nga ish-deputeti Klevis Balliu, i cili shprehet se qeveria duhet të dialogojë në mënyrë urgjente me banorët.
“Nuk ja vlen asnjë projekt në botë, sa lëkura mishi i një idividi, ky projekt është i dalë boje, ku është kjo Arta Marku, pse nuk del që të flasë, asnjë nuk i ka marrë lekët e shpronësimeve. Me çfarë kostosh do të bëhen prishjet e këtyre banesave”, u shpreh Balliu.
Në të gjithë zonën vijojnë që të qëndrojnë dhjetra efektivë policie, të cilët duket se po qëndrojnë në gadishmëri për një aksion të mundshëm.
Lidhur me ngjarjen në një komunikim me Fax News, ka reaguar dhe avokati Artan Manushqe, i cili e konsideron përplasjen mes policisë dhe banorëve, një luftë mes të varfërve.
“Kjo është një zonë nën hetim, njerëzit janë të dëshpëruar, kanë ardhur inspektorë djhe iu kanë thënë banorëve që të dalin deri të hënën, vendosen banorët përballëpolicëve, është lufta mes të varfërve. Kjo bëhet se kemi një palaço kryeministër, të korrupruar, bëj thirrje që të ruhet qetësia. I bëj thirrje mbi të gjitha njerëzve të policisë që të qetësojnë situatën. Nuk ka kriminela këtu, nuk jemi më në 97-tën”, u shprej Manushaqe.
(E.K/Faxweb.al)