Edhe ditën e sotme kanë vijuar kontrollet në portin e Durrësit. Kujtojmë që prej disa ditësh Porti i Durrësit ka nisur aplikimin e masave të rrepta të sigurisë nëpërmjet kontrolleve të imtësishme nga ana e Forcave të Sigurisë Portuale(pjesë e APD-së).
Burime nga institucioni bëjnë të ditur se këto kontrolle vijnë edhe si rrjedhojë e prezencës së Rojës Bregdetare Amerikane, që pritet të mbërrijë në Portin Detar Durrës mesditën e së mërkurës. Ndërkaq ende nuk dihet arsyeja e rritjeve të parametrave të sigurisë në një nivel të tillë që po aplikohet prej disa ditësh.
Në terren janë të pranishme edhe qentë e antidrogës të cilët janë të policisë kuftare.
Fotot e mëposhtme tregojnë veprimtarinë e Forcave të Sigurisë Portuale Durrës për mjedis të sigurt dhe të përshtatshëm për Autoritetin Portual dhe operatorët që veprojnë aty gjatë 24 orëve. Krijimi i nje mjedisi të sigurt dhe të përshtatshëm për Autoritetin Portual dhe operatorët e tjerë të cilët veprojnë në hapësirën e portit gjatë 24 orëve është objektivi kryesor i FSPD ( Forca e Sigurisë Portuale Durrës).
Kjo forcë lindi pas miratimit nga Parlamenti Shqiptar i ligjit Nr.9281 Dt 23.09.2004 për “Sigurinë në anije dhe porte”. Hapa të tjerë të rëndësishëm të cilët ndihmuan në ngritjen dhe organizimin e FSPD ishte përgatitja e akteve ligjore dhe nënligjore.
Asistimi i qeverisë amerikane ICITAP ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në punën e FSPD gjatë krijimit të saj dhe në vazhdimësi. – FSPD kërkon rregullisht evidentimin e Kartës së Identifikimit nga punonjësit e APD dhe përdoruesit e portit”, thonë burimet nga Autoriteti Portual Durrës. (J.V/Shuplaka)