Kryeministri Edi Rama pas një periudhe që iu qëndroi larg mediave, duket se ka nisur komunikimet intensive me gazetarët.
Ditën e sotme në orën 13:00 ai do të ketë një komunikim me përfaqësuesit e mediave në sallë COD në kryeministri, ku do të shpalosë listën e kandidatëve të PS-së për 61 Bashkitë e vendit, për zgjedhjet që janë planifikuar të mbahen në 30 Qershor.
Kryeministri në një postim të bërë në Twitter nuk e përjashton as vijimin e dialogut me opozitën, të cilët i etiketon sit ë vetëpërjashtuar nga zgjedhjet.
“Në 13.00 me gazetarët, pas regjistrimit të kandidatëve tanë për 61 bashkitë dhe listave të këshilltarëve bashkiakë për mandatin e ri të qeverisjes vendore. Koha për fushatën zgjedhore të 30 qershorit dhe për vijimin e përpjekjeve për dialog me të vetëpërjashtuarit nga zgjedhjet”, shkruan Rama në postimin e tij.
Ndërkohë që dje ka qenë afati i fundit i regjistrimit të partive dhe kandidatëve për zgjedhjet lokale, dhe tashmë futja e opozitës në garë, do të mund të bëhet vetëm përmes një vullneti politik, pasi ligjërisht kanë skaduar afatet.
Edhe pas protestës së djeshme të opozitës, ku u shmangën dukshëm aktet e dhunës, kryeministri ftoi kryedemokratin Basha në dialog, duke i bërë pyetjen tashmë të famshme: Kur do flasim?! (Lexo edhe ketu)
Ndërkohë që dje në media ka qarkulluar dhe një draft marrëveshje, e publikuar nga Gazeta Shqip, ku u dhanë dhe 7 kushtet që opozita të ndërpriste protestat e dhunshme.
Pavarësisht se lajmi u mohua nga PD, mbetet të shohim nëse kjo draft marrëveshje është në diskutim mes palëve dhe ndërkombëtarëve. (Lexo edhe ketu)
ÇFARË PARASHIKONTE DRAFTI
1- Qeveria të pranojë se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.
Është një nga kërkesat e panegociueshme nga ana e opozitës. Pikërisht për këtë kusht sakrifikoi deri dhe djegien e mandateve parlamentare. Ndërkohë, faktori ndërkombëtar ka përsëritur se zgjedhjet parlamentare do të mbahen sipas afatit kushtetues dhe ligjit, në vitin 2021.
2- Rama të jetë kryeministër deri në momentin që nga kompromisi kombëtar vendoset se në cilin muaj do të jenë zgjedhjet e parakohshme.
Deri më tani, opozita ka deklaruar se nuk ulet në negociata me Edi Ramën kryeministër dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo pikë e propozuar duket se ka zbutur së tepërmi qëndrimin agresiv ndaj kreut të qeverisë.
3- Të bien dakord për krijimin e Gjykatës Kushtetuese brenda 30 ditëve.
Në kushtet kur ende nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, opozita ka vendosur kusht parësor për formimin e këtij institucioni të rëndësishëm brenda 30 ditëve. Sipas opozitës, Gjykata Kushtetuese do të jetë garant për opozitën, që të ankimojë çdo paligjshmëri që ka të bëjë kryesisht me Reformën në Drejtësi dhe mandatet e reja të deputetëve.
4- Palët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për zhvlerësimin e mandateve të deputetëve, dhënë nga KQZ-ja pas djegies së mandateve, dhe rikthimin e deputetëve siç ishin në Parlament.
Kuvendi ka shfrytëzuar të plotë të gjithë hapësirën kohore prej 30 ditësh që i njeh ligji, pas marrjes së kërkesave për dorëzimin e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës. Për këtë arsye, opozita kërkon krijimin e Gjykatës Kushtetuese, për të quajtur të pavlefshëm mandatet e KQZ-së për deputetët e rinj. Kjo shpjegon se opozita është gati të rifutet në Parlament.
5- Të ndryshohet Kodi Zgjedhor dhe të ketë sistem proporcional kombëtar.
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor është një nga kërkesat e opozitës dhe javën e shkuar, mazhoranca ngriti Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, që parashikon ndërhyrje dhe modifikime në kod. Mazhoranca ka vendosur që në zgjedhjet e 30 qershorit do të shkohet me të njëjtin Kod Zgjedhor dhe se ndryshimet parashikohen për zgjedhjet e 2021. Kodi Zgjedhor nuk mund të ndryshohet 6 muaj para zgjedhjeve, por mundësinë e ndryshimeve Kushtetuese dhe në kuadër të një pakti kombëtar për zgjidhjen e krizës politike, gjithçka mund të ndodhë.
6- Të ndryshohet Kushtetuta, ku të përcaktohet deri në momentin e hyrjes së Shqipërisë si anëtare në BE të ketë qeveri zgjedhore me mandat pesëmujor, me ekspertë e jo me politikanë.
Është një nga kushtet e opozitës në platformën e saj për zgjidhjen e krizës. Duke parë se shpresat për një çelje të negociatave janë reduktuar këtë verë, PD dhe aleatët kërkojnë përfshirjen e ekspertëve për çeljen e negociatave.
7- Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet nga Parlamenti legjitim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Opozita kërkon zgjatjen e përkohshmërisë së Arta Markut, deri sa ajo të rifutet në parlament. Me zhvlerësimin e deputetëve që kanë marrë mandatin javët e fundit, opozita do të jetë e gatshme të votojë çdo kandidaturë që do të vijë si propozim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
(E.K/Faxweb.al)