Ambasadorja e BE në Tiranë Christiane Hohmann, bashkë me stafin e saj, ka qëndruar në ambientet e stadiumit Arena Kombëtare, ku do të mbahet samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor. E pyetur për pritshmëritë e këtij samiti nga gazetari Top Channel Muhamed Veliu, ambasadorja e BE në Tiranë Christiane Hohmann deklaroi:
“Mendoj se së pari është një mesazh shumë i rëndësishëm që Shtetet Anëtare të BE-së i japin vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithëve që vijnë këtu. Për herë të parë ky samit zhvillohet jashtë Bashkimit Evropian. Është një vlerësim i rolit të Ballkanit Perëndimor edhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin tonë, dhe veçanërisht duke pasur parasysh situatën gjeopolitike në të cilën ndodhemi, është e rëndësishme të ritheksojmë se jemi së bashku ndaj sulmit të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës. Ky është një mesazh shumë shumë i fortë që do të marrim nga ky samit”, tha ambasadorja Christiane Hohmann.
Raportohet se shtatë janë çështjet më thelbësore që do të diskutohen në samit, ku sikurse në samitet e shkuara të BE-s, kryefjalë mbetet konflikti në Ukrainë.
Udhëheqësit e BE-s në Tiranë do të diskutojnë edhe për pasojat negative të krizës energjetike në Ballkanin Perëndimor, sulmet kibernetike përfshi shqetësimin për shtimin e emigracionit të paligjshëm drejt vende të BE.
ÇËSHTJET PËR DISKUTIM NË SAMIT
-Pasojat e agresionit rus në Ukrainë
-Intensifikimi politik dhe politikat e zgjerimit
-Shtimi ndërtimit të sigurisë nga influencat e huaja
-Sfidat e emigracionit, lufta ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar
-Shtimi bashkëpunimit në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike
-Efektet negative të krizës energjetike në Ballkanin Perëndimor
-Heqja e Roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor.
-Në përfundim të samitit pritet të dilet me një deklaratë, e cila do të njihet si “Deklarata e Tiranës”.
Marre nga Top Channel