Një ditë pas protestës së opozitës, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku ka mbërritur në zyrën e Kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, nuk dihen detajet apo qëllimi i vizitës së Markut kaq të papritur, por mendohet se takimi mund të ketë lidhje me protestën e djeshme.
Kujtojmë se në protestën e djeshme mbi 100 persona janë shoqëruar në komisariatet e policisë në Tiranë, ndërsa një pjesë e tyre janë liruar mëngjesin e sotëm. Një ndër ta ka qenë edhe Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike Sahit Dollapi i cili pas dhunës nga policia ditën e djeshme, u mbajt mbi një orë në gjendje të rëndë në rajonin e policisë, për tu shoqëruar më pas në spital.
Ndërkohë që opozita, në një vendim të marrë mbrëmjen e djeshme ka bërë me dije se sot rreth orës 11:00 do të mbahet një protestë para ambjenteve të Drejtorisë së Policisë, si shenjë dënimi të dhunës së ushtruar nga policia ditën e djeshme ndaj Sahit Dollapit dhe shoqërimet e protestuesve pas protestës. (Lexo këtu)