Partia Demokratika ka zbardhur takimin e zhvilluar dje me zyrtarin e lartë amerikan Hoyt Brian Yee. Përveçse renditet se çfarë iu propozua kryedemokratit Lulzim Basha dhe arsyeja pse negociatat nuk patën produkt përfundimtar, zbardhet edhe se çfarë pranoi Yee.
Bëhet fjalë për problemet në Shqipëri, të cilat zyrtari amerikan i pranoi gjatë takimit me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.
Koalicioni opozitar shkruan se Yee pranoi problemet shumë të rënda të drogës, korrupsionit, krimit, kërcënimet e rrezikshme që këto probleme paraqesin në vend.
Më tej, theksohet se zyrtari i lartë amerikan e përgëzoi opozitën për sjelljen në vëmendje të opinionit publik të këtyre problemeve shqetësuese.
“Gjatë takimit Z. Hoyt Yee pranoi problemet shumë të rënda të drogës, korrupsionit dhe krimit si dhe shqetësimet e ngritura nga opozita në lidhje me kërcënimet e rrezikshme që paraqesin këto probleme për zgjedhjet e lira në Shqipëri. Z. Hoyt Yee përgëzoi opozitën për faktin se me qëndrimet e saj, këto probleme të rënda u sollën në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar. Z. Hoyt Yee më tej theksoi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me autoritetet dhe me opozitën aktuale për të trajtuar këto probleme të rënda.”, bën me dije Partia Demokratike.
(XH.A/SHUPLAKA)