E zgjedhur dje me më pak se gjysmën e votave në Kuvend, konkretisht 69 vota pro dy kundër dhe dy abstenim, kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku e ka marrë sot detyrën nga paraardhësi i saj, Adriatik Llalla.
Ka qenë një ceremoni e thjeshtë e bërë në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ku Llalla i ka dorëzuar detyrën Markut. Në dalje të organit të akuzës Llalla u shfaq i qetë dhe i buzëqeshur teksa u tha gazetarëve se do të shiheshin së shpejti.
Nuk dihet rruga që do të ndjekë ish-kryeprokurori pas largimit nga detyra, po mesa duket zëvendësimi dhe për atë vetë ka qenë i pritshëm. Gjatë detyrës së tij Llalla e pati të pamundur që të hetonte çështje të rëndësishme, dhe kur u duk se një dosje e madhe si ajo e Tahirit do të dilte në dritë vjen edhe zëvendësimi i tij.
Arta Marku ka qenë prokurore në Shkodër dhe në rrethet e ngushta njihet si vartësja e deputetit socialis Ulsi Manja, kur kanë punuar së bashku në qytetin verior.
(E.K/FAXWEB)