Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismaili ka bërë një reagim të dytë pas akuzave të Partisë Demokratike se është dënuar në Greqi në vitet 1999-2000, por nuk e ka deklaruar një gjë të tillë në formularin e dekriminalizimit.
Duke insistuar se diçka e tillë nuk është e vërtetë, Ismaili shkruan në “Facebook” se në datën 25 shkurt, për të cilën e pyeti Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, e ka patur thjesht një ditë të zakonshme pune. Për ta provuar këtë, ai ka nxjerrë edhe listë-pagesat nga puna e mësuesit që ka bërë në Greqi.
“Po rikthesoj edhe një herë se për periudhat që kam ounuar si emigrant ekonomik në Greqi nuk jam arrestuar apo ndaluar asnjëherë nga policia greke për çfarëdo arsye ligjore. Lidhur me pyetjen se çfarë më kujton 25 shkurti 2000, ju bëj me dije se më kujton një ditë normale pune si mësues në shkollën 8-vjeçare “I. Shehu”, Corrush. Bashkangjitur listë-pagesat për këtë periudhë”, tha Qerim Ismaili.
Postimi i plotë i Qerim Ismailit:
Do të doja që nëpërmjet këtij statusi të ndaja me ju një prononcim lidhur me deklaratat e bëra sot nga Partia Demokratike lidhur me emrin tim dhe të kaluarën time:
1-Dua të theksoj se gjithçka kam deklaruar në formularin e dekriminalizimit është e vërtetë.
2-Po rikthesoj edhe një herë se për periudhat që kam punuar si emigrant ekonomik në Greqi nuk jam arrestuar apo ndaluar asnjëherë nga policia greke për çfarëdo arsye ligjore. Lidhur me pyetjen se çfarë më kujton 25 shkurti 2000, ju bëj me dije se më kujton një ditë normale pune si mësues në shkollën 8-vjeçare “I. Shehu”, Corrush.
Bashkangjitur listë-pagesat për këtë periudhë. Së fundmi për të gjithë ata që nuk më njohin (pasi ata që më njohin e dinë mirë), se nuk jam marrë asnjëherë me veprimtari të jashtëligjshme si edhe jam totalisht I qetë në ushtrimin e detyrës që më kanë besuar qytetarët mallakastriotë pasi nuk kam mbi vete epitetet e hajdutit, trafikantit të qenieve njerëzore apo lëndëve narkotike, ashtu si mund t’i kenë eksponentë të caktuar të PD.