Fushata më e gjatë në historinë e zgjedhjeve shqiptare dhe më pak e ngjashmja me të tjerat që e kanë paraprirë. E qetë në dukje, por me raste dhune. Një fushatë që paraprin zgjedhjet në ditën e Kurban Bajramit, shtyrë vetëm 1 javë pas protestës 3-mujore në çadër të opozitës. Më poshtë, renditen disa nga kulminacionet që duhen kujtuar.
FUSHATA 4-MUJORE
Nisi që në 18 shkurt 2017. Jo zyrtarisht, por në praktikë po. Lulzim Basha ka bërë fushatën më të gjatë në historinë e PD-së, plot 4 muaj e 1 javë. Gazetarët e mbajnë mend mirë, gjatë raportimeve të tyre, se kur Basha kërkonte dorëheqjen e Ramës, de facto ishte duke bërë fushatë për ”Republikën e Re”, e cila u shndërrua në slogan në ditët e fushatës zyrtare. Një fushatë që u parapri nga çadra për të vazhduar më tej me marrëveshje e luftë të ashpër.
MARRËVESHJA E 18 MAJIT-BIG MAC-u që vendosi datën e zgjedhjeve dhe ndryshoi kauzat
Asnjë votim elektronik nuk u arrit. Por zgjedhjet, pas takimit kokë më kokë mes Bashës dhe Ramës, në atë që u cilësua si marrëveshja ”Big MAC”, u vendosën të mbahen një javë më vonë nga ç’e parashikonte Kushtetuta: 25 qershor, në ditën e Kurban Bajramit. ”Një zëvendës Kryeministër i përkohshëm (person jo-politik), i propozuar nga opozita, Caktimi konsensual i katër ministrave (ekspertë teknik të respektuar) me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të administratës publike dhe ndikimeve në procesin zgjedhor, Përzgjedhja konsensuale e një kandidati të respektuar për President, i pranueshëm për Qeverinë dhe për Opozitën. etj”, ishin disa nga pikat e marrëveshjes McAllister+. Marrëveshja ndryshoi kauzat: Basha harroi kanabizimin e vendit, dorëheqjen e Ramës, koncesionet etj në retorikën gjatë fushatës.
LISTAT
Ndërsa Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kishin dërguar listat e kandidatëve në KQZ, ajo që është pritur me kërshëri qe padyshim lista e Lulzim Bashës. E papritur për shumë mbështetës demokratë: u la jashtë Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Arben Imami, Ridvan Bode, Eduard Selami etj. Më pak të rinj nga sa kishte pretenduar se do fuste Basha, ndërsa një pjesë e kandidatëve nisën dorëheqjet. Ndryshe nga Edi Rama që ka futur në lista mbështetësit e tij të përhershëm, Basha zgjodhi ”dorën e hekurt”. Kurse LSI-ja kandidon me numrin më të madh të të rinjve dhe grave se ndonjëherë tjetër.
ELEMENTËT ESTETIKË
Takime të vogla, ku qytetarët rrethojnë liderët, por nuk munguan as mitingjet e mëdha. Pa flamuj, pa shumë pankarta dhe pa ndotje të mjedisit. Siç me të drejtë e quajti Edi Rama, të parën e këtij lloji. ”Shtet, punë, mirëqënie”, ”Republika e Re” dhe ”Një shans për të gjithë”, qenë tri sloganet bazë të PS-së, PD-së dhe LSI-së. Sigurisht që nuk munguan barcoletat e Ramës, ironia therëse e Bashës dhe epitetet e krahasimet e Metës. Mjafton të kujtojmë ”Ebola është Rilindja”, apo ”Haki Droga” të Metës.
SONDAZHET MË TË PABESUESHME SE ASNJËHERË
S’ka diskutim. Sondazhet publikohen për të ndikuar: te të pavendosurit. Dy sondazhe: IPR dhe Piepoli, të dy kompanive italiane për zgjedhjet e 25 qershorit, u janë publikuar rezultatet te ”Ora News” dhe ”ReportTV”. Dhe sigurisht që kur t’i lexojmë duhet të mbajmë parasysh disa elementë:
1.Publikohen 3 javë para, padyshim për të ndikuar te të pavendosurit. 20,6 përqind e votuesve (sipas IPR), që janë ende të pavendosur nuk është një shifër e vogël. Ajo mund të bëjë diferencën për cilëndo parti.
2.Dyshimet për saktësinë e rezultateve. Nga të dyja kompanitë nuk i bëhen publikut shqiptar sqarime të plota për metodologjinë dhe mënyra si është përzgjedhur kampionimi. Sqarohet numri i të intervistuarëve, apo mënyra se si janë pyetur: me telefon për shembull por jo ku janë përzgjedhur. A është shpërndarje e njëtrajtshme për zonat e përzgjedhura, apo të fokusuara vetëm në disa bastione të majta apo të djathta? Si është verifikuar se në anën tjetër të receptorit ndodhej pikërisht personi i listuar nga kompanitë?
3.Përfshihen pyetje që s’janë aspak në interesin e tanishëm të votuesve. Rasti i Veliajt, ku ka dalë edhe më i besueshëm se kreu i PS-së Edi Rama është futur te rezultatet e Institutit Piepoli. Pse? A janë këto zgjedhje vendore apo të përgjithshme?
4.Rezultatet. Një parti që ka drejtuar vendin për 4 vite ka rritje kur kërkon sërish votën?! Nga 59 deputetë PS mund të shkojë në 73 sipas Piepolit. A janë të ekzagjëruara këto rezultate, apo mund të jenë të vërteta? Po PDIU me një mbështetje solide për shkak të historisë së krijimit të partisë ku elektorati çam është i përqëndruar në dy-tre qarqe në vend dhe nuk arrin të kalojë pragun?!
5.Rezultate të ndryshme mes dy sondazheve paralele. Sigurisht që mund të jetë një shpjegim se numri më i madh i kampionimit mund të ndryshojë rezultatin dhe se ka marzhe gabimi por po të shihen rezultatet e dy sondazheve diferencat janë të mëdha. Nëse IPR nuk llogarit dot mandatet për shkak të vështirësisë, Piepoli i ka llogaritur pa asnjë dyshim.
PARALAJMËRIMI I METËS: MOSDEKRETIMI I KRYEMINISTRIT DHE MINISTRAVE
”Mosdekretim të kryeministrit dhe ministrave!”, ky qe paralajmërimi i Metës nëse preket vota. “Unë po paralajmëroj dhe po lajmëroj cilindo që mendon se mund të verë dorë mbi votën, se nuk do ketë dekret për kryeministër dhe as për ministra. Procesin e drejtë e vendos rinia e Shqipërisë. Nuk do të lejoj të kthehet Shqipëria në depozitë të mbetjeve të rrezikshme të Europës dhe më gjerë dhe plantacion droge.”, paralajmëronte Meta.
DEKLARATA E PAPRECEDENTË E KRYEMINISTRIT DHE HESHTJA E POLICISË
Policia e Shtetit i është kundërpërgjigjur flakë për flakë Ilir Metës lidhur me rastin e dhunimit të kryeplakut Gjovalin Gjini. ”Reagim i Policisë së Shtetit: Keqardhje për sulmin e sotëm mbi Policinë e Shtetit nga ana e një lideri politik, lidhur me incidentin e ndodhur në Lezhë.”, reagonte Policia e Shtetit. Por para se Meta të reagonte me deklaratën e fortë, duket se Policia e Shtetit nuk regjistruai një tjetër deklaratë të fortë, ose ndoshta deklarata e kryeministrit Edi Rama gjatë një mitingu në Kuçovë ka qenë me shkëputje.
Tërësisht e kundraligjshme, ku vetë Edi Rama i bënte thirrje Policisë së Shtetit të merrte pjesë në fushatë, madje të mblidhte vota për Partinë Socialiste, pas orarit të punës. Përfshirja e policisë në fushatë është e paligjshme.
Kjo është deklarata e Edi Ramës, me zë dhe figurë, për të cilën ende Policia e Shtetit nuk ka reaguar ende:
”I bëj thirrje gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, në momentin që lënë uniformën pas punës, të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për Partinë Socialiste të Shqipërisë”, u thoshte Rama mbështetësve në takim.
Rama pranoi se kishte gabuar në atë deklaratë por policia nuk u distancua asnjëherë nga thirrje të tilla.
DEKLARATA ”BOMBË” E KREUT TË KUVENDIT
Kreu i Kuvendit Ilir Meta teksa vizitonte kryeplakun e dhunuar të fshatit Rraboshtë në Lezhë, Gjovalin Gjini, bëri një deklaratë shumë të fortë.
Meta tha se sa kohë që kriminelët lëvizin të lirë populli do të detyrohet të armatoset.
‘‘Nëse kriminelët nuk arrestohen Populli do të jetë i detyruar të armatoset. I kam dhënë emrat konkretë jo vetëm ministrit Demiraj por edhe drejtorit të Policisë në Lezhë”, deklaroi Meta.
Gjini, mbështetës i LSI-së po blinte në dyqan në momentin kur tre persona të maskuar e kanë dhunuar duke e sulmuar me mjete të forta.
DHUNA, KËTË HERË NUK SHPËTUAN GRATË
Gjashtë raste dhune ndaj mbështetësve të LSI-së, ku nuk shpëtojnë gratë. Ende asnjë autor i ndaluar nga policia. Gjithçka nisi në Fier me dhunimin që iu bë një të riu, maturantit vetëm 18 vjeçar Orest Grembi. Dyshimet e para u hodhën ndaj një përfaqësuesi të PS-së, Artan Grembi e megjithatë nuk pati një procedim nga ana e Policisë për të.
Rasti i dytë i dhunës u shënua në Lezhë ku mbeti i dëmtuar rëndë kryeplaku i fshatit Rraboshtë, Gjovalin Gjini. Për këtë ngjarje reaguan njëzëri të gjithë drejtuesit e LSI-së, po edhe kjo ngjarje mbetet ende pa autorë. Po ashtu në Berat është dhunuar Krenar Shehu, kreu i LSI në fshatin Gjovoren në Berat. Pas kësaj vetëm dje janë shënuar dy ngjarje të rënda në Fushë-Krujë dhe Pukë. Koordinatori i LSI-së në Fushë-Krujë Blerim Çela, është qëlluar me levë brenda ambjenteve të zyrave të kësaj Partie. Ka qenë Nora Malaj kandidate e Durrësit që ka treguar më shumë rreth ngjarjes.
Ndërkohë që ngjarja tjetër e rëndë ka prekur dy gra. Saimira Laçi dhe Romina Kuçi, e para kryetarja e LSI në Pukë dhe Kuci kryetarja e LRI po në Pukë janë dhunuar ditën e djeshme. Mësohet se ndaj tyre është ushtruar dhunë nga disa persona. Ngjarja bëhet me dije të ketë ndodhur në Fushë-Arrëz teksa ato po udhëtonin me makinë. Laçi ka treguar se është dhunuar nga eksponentë të rëndësishëm të PS-së. Kuçi njoftohet se ndodhet në spital pas plagëve të marra.
TUNDIMI I TË VEGJËLVE PËR TË NDËRRUAR KRAH
Nuk ka ndodhur për herë të parë. Më masiv si fenomen në zgjedhjet e kaluara, por edhe kësaj here pati ndërrime ”krahësh”. ”Demokrati” Lefter Maliqi la në baltë Bashën për të ndihmuar Ramën.
Lefter Maliqi, të cilin Basha e kishte renditur kandidat të tretë të PD-së në qarkun e Beratit njoftoi bashkimin me Ramën duke shkruar: “Sot unë shpall bashkimin e njerëzve të mi, socialistë dhe demokratë me Edi Ramën. Edi Rama nuk më ka asnjë borxh dhe do t’i kërkoj vetëm të mos hyj në borxh me njerëzit e mi siç hyri Lulzim Basha. Nëse do të bëjë për ta, hallall ka gjithçka qe do bej unë për të dhe PS në këte betejë”. (V.G/SHUPLAKA)