Dy të rinj që qëllun me armë në ajër mbrëmjen e djeshme janë vënë në pranga nga Policia e Lezhës, dhe u janë gjetur me vete edhe dy armë zjarri (një automatik dhe një pistoletë) dhe fitil zjarrpërcjellës.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, pas njoftimit të marrë se në fshatin Gajush, Lezhë, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë i mundur identifikimi në kohë reale i 2 shtetasve që kishin qëlluar me armë zjarri në ajër.
Në bazë të provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Gajushi”, si rezultat i të cilit u bë kapja e arrestimi i personave të dyshuar: R. H., 19 vjeç dhe S. H., 28 vjeç, banues në Milot, Kurbin.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit R. H. dhe ambientit përreth saj, gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar në ajër, të cilën ky shtetas e kishte fshehur në një depozitë uji në banesën e tij.
Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së shtetasit S. H., ku gjatë kontrollit shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me një krehër dhe fitil zjarrpërcjellës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje ” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.