Nga Jill Abramson*
Vendi i zgjedhur i Hillary Clinton, për të falënderuar rrjetin e saj të madh të donatorëve javën e kaluar, ishte mëse ironik: bëhet fjalë për sallën e madhe të ballove të “Plaza”, e cila më parë kishte qenë në pronësi të Donald Trump.
Njerëzit e pranishëm në këtë takim të zymtë, ndër të cilët kishte menaxherë të investimeve të fondeve dhe gjigandë të mediave, ndërtuan rrjetin më të pamposhtur të mbledhjes së fondeve që të ishte parë ndonjëherë në historinë amerikane. Ata hodhën më shumë se 4 miliardë dollarë në fushata të ndryshme të Clinton dhe grupeve politike e bamirëse të ngjashme, për mbi më shumë se 4 dekada. Shumë prej tyre kanë dhënë shuma të mëdha që nga fushata e parë presidenciale e Bill Clinton në vitin 1992.
Në vitin 2016, ata prisnin që donacionet e tyre prej 1.2 miliardë dollarë të katapultonin Hillary Clinton përsëri në Shtëpinë e Bardhë dhe u befasuan, si pjesa tjetër e elitës së vendit, të shihnin se si u hodh kot e gjithë ajo para.
Nuk isha ftuar tek “Plaza” (si gjithmonë për Clinton, shtypi ishte i ndaluar). Por mbledhja në “Plaza” ishte një pikë e rëndësishme për mua, gjithashtu, dhe melodia mbyllëse e një karriere të gjatë duke raportuar për “Korporatën” Clinton.
Në vitin 1991 isha një nga reporteret e vetme me Bill Clinton në një nga takimet e tij të para në Hollywood. Pashë sesi atij i pëlqente aq shumë t’u fliste me një mënyrë bindëse miqësore njerëzve të pasur për t’u hyrë në zemër e për të përfituar nga ata, se si gjuha e trupit të tij tekstualisht ndryshonte ndërsa afrohej me njerëz jashtëzakonisht të pasur. Ishim në pallatin në Beverli Hills të producentit të filmave Mike Medavoy, banesa e të cilit kishte një llampadar të varur jashtë në oborr.
Më vonë asistentë të fushatës me thanë se Hillary Clinton-it nuk i kishte pëlqyer fare artikulli që kisha shkruar, i botuar në faqen e parë të Wall Street Journal, ku ishte nxjerrë ne pah se si çifti kishte arnuar çdo veprimtari të jetës së tyre, nga koha e universitetit në Yale Law School e deri në dikur të famshmen “Renaissance Weekends”, ku morën pjesë në Natën e Vitit të Ri, në një fushatë gjigande për të mbledhur fonde. Ajo tha se artikulli i kishte bërë të dukeshin sikur “ne ishim duke i përdorur miqtë tanë”.
Por Bill dhe Hillary Clinton janë personat përgjegjës për shndërrimin e Partisë Demokratike në një parti të Wall Street dhe miqve të tyre të pasur. Gjatë kohës së mandatit të tij, Bill Clinton nuk bëri ndonjë gjë të madhe për të ndryshuar sistemin e financimit të fushatave që binte në kundërshtim me mesazhin e barazisë të partisë.
Persona si Anna Wintour dhe gjigandi i menaxhimit të investimeve R Donald Sussman, janë me siguri pjesë e arsyes se përse një pjesë shumë e madhe e shtresës së mesme amerikane u kthye kundër demokratëve në këto zgjedhje.
Megjithatë, nëse jo me grupin e “Plaza”, ku do të shkojë Partia Demokratike?
Ndërsa e gjithë vëmendja është tek Trump, kjo është një nga çështjet më urgjente të politikës amerikane. Ndërsa të gjithë nga radhët e ekspertëve po thoshin se Partia Republikane ishte duke u përçarë nga këto zgjedhje, në fakt është Partia Demokratike që është copë-copë. Duhet të ndërtohet fillimi për të ardhmen e re post-Clinton. Por themelet e kësaj pune të madhe janë të dobëta.
Nuk është thjesht se demokratët janë partia e pakicës në Uashington, por është fakti se ata kanë humbur drejtimin vendor në shumë shtete në të gjitha nivelet, që nga guvernatorët e deri te legjislaturat nëpër shtete. Ndërsa Demokratët u përqendruan për të marrë dhe mbajtur Shtëpinë e Bardhë që nga viti 2008, vëllezërit Koch dhe aleatët e tyre të djathtë miliarderë kanë hedhur para në mënyrë të vazhdueshme te kandidatët vendorë gjithashtu, dhe në fund kjo solli në përfitim shumë të madh.
Duhet vetëm të shikosh “kacafytjen” në Karolinën e Veriut, ku guvernatori republikan në ikje dhe të zgjedhurit republikanë të legjislaturës së këtij shteti po i krijojnë “dobësim” pushtetit të guvernatorit të ri, për të parë sesa i efektshëm ka qenë rrjeti Koch.
Guvernatorë shtetesh si Ronald Reagan dhe Jimmy Carter, kanë qenë gjithmonë atje ku partitë kërkojnë talente të reja, por me kaq pak shtete blu (nën kontrollin demokrat), zgjedhjet janë të pakta për demokratët. Të vetmet pika të shndritshme për ta janë kryebashkiakët e qyteteve të mëdha, ku partia e tyre ka pushtetin. Por edhe këtu, problematikat e qyteteve të mëdha janë duke zbehur yje të rinj të mundshëm si Rahm Emmanuel i Çikagos dhe Bill de Blasio i Nju Jorkut.
Por çështja e talentit as që është problemi më i madh i partisë. Janë idetë që vënë në lëvizje partinë. Në një farë mënyre, premtimi i Trump për ta “bërë Amerikën përsëri madhështore” arriti të fitonte përkrahjen e koalicionit republikan të konservatorëve fetarë, shtetas të bardhë pa arsim të lartë dhe votues të zonave periferike, që duhej për të fituar kolegjin zgjedhor.
Hillary Clinton nuk kishte një mesazh ekonomik bindës. Kjo ishte pjesa më e rëndë e dështimit të fushatës së saj. Është gjithashtu edhe një nga sfidat më të mëdha të Partisë Demokratike ndërsa përpiqet të rindërtohet më një aleancë të liberalëve të Bernie Sanders e Elizabeth Ëarren dhe të financierëve, të cilët e kanë mbajtur me fonde partinë që nga fitorja e Bill Clinton në vitin 1992.
Sigurisht, mesazhi ekonomik Sanders-Warren është në luftë me interesat e Wall Street. Pra kush i ka në pronësi idetë që duhet të rinojnë demokratët ndërsa Trump dhe kabineti i tij i ri përpiqen të zhbëjnë programet sociale, që janë arritjet që mbajnë vulën e presidentëve demokratë të Shteteve të Bashkuar të Amerikës që nga Johnson e deri tek Obama?
Si do të jetë përqasja e demokratëve për tregtinë, një tjetër çështje që ndan thellësisht donatorët e Ëall Street nga radhët e demokratëve. Por ndoshta më e rëndësishmja, cilët janë mendimtarët dhe aktivistët që mund të fillojnë t’u japin përgjigje këtyre çështjeve?
Më të gjithë ata nga partia (Partia Demokratike) me të cilët kam folur, janë ende të trullosur dhe të zëmëruar pas fitores tronditëse të Trump për të mbledhur mendjen për punën dërrmuese që i pret. Demokratët janë ende të fiksuar me ndërhyrjen ruse në zgjedhje dhe duke fajësuar drejtorin e FBI, James Comey, që i shohin si arsye për shkaktimin e humbjes së Clinton. Këto gjithashtu janë tema të rëndësishme por nuk ndihmojnë në formësimin e së ardhmes.
Në politikë, ashtu si edhe në jetë, Demokratët duhet të ngushëllohen me faktin se mund të ketë gjithmonë një ndryshim të ndjeshëm dhe të çuditshëm të fateve. Në 2 nëntor 1992, Donald Trump humbi kontrollin e hotelit të tij të pëlqyer “Plaza Hotel” dhe kishte paraqitur kërkesën për falimentim. Të nesërmen e ditës tjetër, Bill Clinton u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
*Jill Abramson është analiste për çështjet politike në ”The Guardian”. Ajo është një lektore në Harward. Abramson ka punuar 17 vjet te ”New York Times”. Përktheu Ilir Sinanaj