Pas rezultimit pozitiv të një prej bashkëshortëve në Elbasan, bashkia ka nisur dezinfektimin e të gjithë pallatit ku jetonte çifti, madje dhe të marketit në zonë ku ata shkonin shpesh për të bërë pazarin.
Në pamjet e siguruara për Faxweb.al duken punonjësit e bashkisë të cilët po lajnë me solucione të posaçme ambientet e pallatit, madje qytetarët janë shprehur se është bërë dhe dezinfektimi i marketit ku çifti shkonte më së shumti.
Rasti me COVID 19 është zbuluar në qytetin e Elbasanit duke e çuar në tre numrin e të prekurve, ndërsa burime bëjnë me dije për Faxëeb.al se ai është një 60-vjeçar që që jeton në lahjen “Emin Matraxhiu”, pranë varrezave të Dëshmorëve.
60-vjeçari është nisur dje me urgjencë drejt spitalit Infektiv në Tiranë, për shkak se kishte temperaturë të lartë, dhe vështirësi me frymëmarrjen, ndërsa ka rezultuar pozitiv pasi ka bërë tamponin.
Ndërkohë që edhe bashkëshortja e tij ka pasur temperaturë të lartë, por testi i parë që ajo ka kryer ka rezultuar negativ, dhe për momentin po qëndron në banesën e saj në Elbasan.
Në rast se temperatura do të vijojë, asaj pritet ti bëhet një test i dytë për të konfirmuar në rast se ka koronavirus. Edhe mjekët e kanë thënë se siguria e tamponëve shkon deri në 75% dhe prandaj duhet të bëhen dy të tillë në raste kur ka dyshime të forta.
Çifti nuk ka pasur histori udhëtimi me jashtë vendit, dhe jetojnë të vetëm pasi fëmijët i kanë jashtë shtetit. Ata dyshohet se e kanë marrë virusin brenda në qytet, kur kanë lëvizur për të kryer shërbimet e nevojshme.
Derimë tani në vendin tonë janë prekur 146 persona nga Covid 19, 23 prej të cilëve vetëm në 24 orët e fundit.
Ndërkohë që një lajm pozitiv është ai i shërimit të 17 pacientëve, të cilët kanë rezultuar negativ pasi u janë nënshtruar dy testeve, dhe do të qendrojnë për 14 ditë në kushtet e vetëkarantinimit në banesat e tyre.
Në spitalin Infektiv ndodhen të shtruar 72 persona, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën. Siç edhe dihet tashmë 5 persona e kanë humbur luftën me koronavirusin dhe kanë ndërruar jetë që prej mbërritjes së pandemisë në vendin tonë.