Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka folur në lidhje me zhvillimet më të fundit politike në vend. Duke iu referuar lajmit mbi zëvendësimin e Llallës, Vasili shprehet për ”Report Tv” se puna e Prokurorisë ka qenë disa herë më e mirë se ajo e Policisë në luftën kundër drogës.
”Sot Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet të ishte një temë diskutimi pasi do të kishim Këshillin e Lartë të Prokurorisë që duhet ta zgjidhte atë, ashtu siç reforma e përcakton. Por reforma këtu ka rënë pasi qoftë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, qoftë Këshilli i Lartë Gjyqësor, nuk janë ngritur.
Dhe ky veprim i qëllimshëm për ta kapur drejtësinë ka bërë që të gjitha afatet kushtetuese të bien, të gjitha mekanizmat të bllokohen dhe cenohen, me qëllimin e vetëm për ta kapur. Edhe në rastin konkret është vepruar në këtë mënyrë. Është një moment i zi për drejtësinë në vend, një moment dëshpërimi të thellë, dhe një moment zhgënjimi të thellë për qytetarët të cilët ngritën pritmëri të mëdha për reformën në drejtësi”, shprehet mes të tjerash Vasili.
Së pari duhet theksuar se gjatë këtyre ditëve të fundit keni shprehur shqetësimin se në Republika e Shqipërisë mund të përballet me një faturë rreth 2 miliardë euro në arbitrazhin ndërkombëtar. Përsë z. Vasili vjen ky rrezik në këtë proces që bëhet fjalë?
Së pari nuk është një alarm që e ngre unë , është një alarm i vendosur kohë më parë nga Avokatura e Shtetit të Republikës së Shqipërisë, e cila po përballet me një seri procesesh gjyqësore shumë të mëdha, në të cilat Shqipëria është palë, për arsye të prishjes së njëanshme, arbitrare e në mënyrë klienteliste të disa marrëveshjeve të rëndësishme. Vetëm një pjesë e të cilave, së paku 4 kontrata pasi ka dhe procese të tjera, Shqipëria rrezikon të humbasë gati 2 miliardë euro në arbitrazhin ndërkombëtar.
Ky shqetësim është bërë prezent me shkrim nga Avokatura e Shtetit kohë më parë. Nuk është një shqetësim opozitar meqë ka një merak që te etiketohet çdo gjë si pro dhe kundër sa herë që nuk duan të zgjidhin një problem, sa herë që nuk duan te marrin përgjegjësi të mëdha. Vetë Kryeministri është përgjegjësi i madh i këtyre proceseve pasi ka inkurajuar prishjen arbitrare të këtyre kontratave në shkelje të plotë edhe të procedurave ligjore të cilat ia kanë bërë shumë lehtë të gjithë pretenduesve apo kundërshtarëve tanë në këto procese për ti fituar lehtësisht këto gjyqe dhe për të paguar një faturë shumë të rëndë financiare shteti shqiptar. Një faturë prej dy miliardë eurosh e cila është një rrënim i vërtet. Për tiu kthyer faktit që është një shqetësim opozitar, mund të them që muaj më parë në detyrën e Ministrit të Drejtësisë në atë kohë ia kam përcjellë këtë shqetësim kryeministrit të vendit, duke kërkuar marrjen e masave urgjente për këtë çështje.
Njëkohësisht kam kërkuar në atë kohë ndërprerjen e procesit të prishjes së njëanshme të kontratave, konsultimin e detyruar me Avokaturën e Shtetit, nxjerrjen e përgjegjësive për të gjitha kontratat e tjera të prishura pasi ndërkohë që ne komunikonim rreth 80 milionë euro shteti i kish paguar tashmë për kontrata të prishura. Bëhej fjalë për hyrjen në një rrugë pa kthim të një dëmi financiar me pasoja të pariparueshme dhe komentet janë të tepërta. Këtu duhet të kishte një shqetësim shumë të madh dhe përgjigja ka qenë zero edhe në atë kohë, zero është edhe tani. Megjithëse kam kërkuar në atë kohë të bëhej diçka në lidhje më këtë situatë Kryeministri i vendit nuk ka shpenzuar asnjë sekondë të vetme. Ka qenë i interesuar të bisedonte edhe për gjërat më periferike dhe më të pavlera dhe asnjë herë për një çështje të tille. Sot shqetësimi është akoma edhe më i madh pasi dihet që ekonomia ka një problematikë shumë të rëndë dhe 2 miliard euro do të thotë një efekt i barabartë me rënien e piramidave financiare në 1997-n. Gjithkush e kupton më së mirë se çfarë do të thotë 2 miliard euro për Shqipërinë.
Cili është qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim sa i takon zgjedhjes së Prokurorit të ri të Përgjithshëm?
Prokurori i ri i Përgjithshëm është një moment delikat në reformën në drejtësi pasi kjo reformë dihet tashmë që ka hyrë në një qorrsokak të madh, të qëllimshëm pasi mazhoranca i ka bërë të gjitha makinacionet për ta kapur atë. Sot Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet të ishte një temë diskutimi pasi do të kishim Këshillin e Lartë të Prokurorisë që duhet ta zgjidhte atë, ashtu siç reforma e përcakton. Por reforma këtu ka rënë pasi qoftë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, qoftë Këshilli i Lartë Gjyqësor, nuk janë ngritur.
Dhe ky veprim i qëllimshëm për ta kapur drejtësinë ka bërë që të gjitha afatet kushtetuese të bien, të gjitha mekanizmat të bllokohen dhe cenohen, me qëllimin e vetëm për ta kapur. Edhe në rastin konkret është vepruar në këtë mënyrë. Është një moment i zi për drejtësinë në vend, një moment dëshpërimi të thellë, dhe një moment zhgënjimi të thellë për qytetarët të cilët ngritën pritmëri të mëdha për reformën në drejtësi. Dhe sot kemi nëj reformë të bllokuar dhe të asfiksuar pavarësisht nga tamtamet që bën Kryeministri apo edhe ndonjë ndërkombëtar i ekzaltuar apo i kapur këtu në Shqipëri. Për të folur për çështjen që ju pyetet duhet sqaruar gjithë procedura kushtetuese dhe ligjore për këtë çështje. Ka lloj-lloj interpretimesh nga ana e mazhorancës, interpretime që çojnë ujë në qëllimin për ta kapur Prokurorinë.
Ju do të jeni dakord me një Prokuror të përkohshëm, siç ishin rekomandimet e OPDAT-it dhe EURALIUS-it?
OPDAT dhe EURALIUS, në radhë të parë unë nuk di se kush i ka pyetur. Nuk i kam kuptuar dot OPDAT-in dhe EURALIUS-in, në mënyrë të veçantë këtë të fundit. Unë e kuptoj shumë mirë se çfarë fshihet lidhur me këtë çështje pasi EURALIUS ka qenë një mekanizëm shumë i prerë, qoftë edhe për ndryshimet me të vogla. Mbaj mend për diskutimin për Ministrinë e Drejtësisë dhe të disa ligjeve të tjera. Ndërkohë që sot vet ofrohet. Unë nuk di që ka ndonjë kërkesë zyrtare nga ana e Kryetarit të Kuvendit për ndonjë interpretim. EURALIUS, para së gjithash, duhet të shprehet për mekanizmat kushtetuese të cilat bllokuan mundësinë e zgjedhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe ia bën të pamundur Presidentit të Republikës që të hidhej shorti. Këtu do të kërkohej interpretimi i EURALIUS-it. Nuk i kuptoj dy standardet e tij: Vetofrohet ti japë Kuvendit këshilla dhe institucionet e tjera apo aktorët e tjerë kushtetuese që realizojnë reformën për të nuk ekzistojnë. Kjo do të thotë që edhe persona të caktuar brenda EURALUSI-it kanë një qasje të njëanshme dhe këtij klientelizmi politik i cili nuk e ndihmon reformën. Kjo duhet të marrë fund.
Meqë jemi tek Prokurori i përgjithshëm, si e vlerësoni ju z. Vasili punën e Adriatik Llallës gjatë këtij 5 vjeçari?
Nuk më takon mua të bëjë një analizë të punës së Prokurorisë, pasi Kuvendi i Shqipërisë ka marrë raporte të përvitshme për punën e saj. Ka bërë vlerësime dhe i ka votuar këto raporte. Ka vend gjithmonë për të punuar shumë e më shumë në Prokurorinë shqiptare dhe nuk mund të kemi kurrë një kënaqësi të plotë apo një vlerësim gjithnjë pozitiv apo maksimal, por duhet evidentuar që Prokuroria, në mënyrë të veçantë në luftën kundra trafikut të drogës dhe kanabisit, ka qenë dukshëm, më aktive, shumë më mirë e orientuar pozitivisht sesa policia e shtetit. Siç dihet, shumë aksione të rëndësishme dhe të mëdha janë drejtuar Prokurorisë dhe udhëhequr nga ajo, ku për fat të keq janë sabotuar nga policia e shtetit.
Prokuroria kërkon arrestimin e tre oficerëve të lartë të policisë. Ata ende nuk janë gjendur. Si e shikoni këtë zhvillim?
Komenti im është shumë i thjeshtë. E gjithë kupola e policisë ka qenë thellësisht e inkriminuar, pjesë mbështetëse e trafikut të drogës dhe ne jetojmë në paradoksin e jashtëzakonshëm, që gjithë kjo kupolë ka qenë e tillë dhe në krye të saj është drejtori i përgjithshëm. Vetëm ky qenka kaq i pastër dhe mund të qëndroj atje. Ky njeri drejton me shumë kompetencë një skuadër të inkriminuar, pjesë të kriminelëve. Kemi dhe një kryeministër që është bërë njësh me drejtorin e përgjithshëm të policisë së bashku me ministrat, të cilët këta janë të pafajshmit më të mëdhenj.
U pohua dhe nga ambasadori amerikan që një i inkriminuar i madh është ish ministri i brendshëm, të cilin kryeministri bashkë me të tjerët u bënë barrikadë për ta mbrojtur. Pra, këto janë fakte alarmante vërtet për këto arrestimet e pandodhura sepse u është thënë merrni arratinë dhe largohuni nga Shqipëria. Kjo është një provë për ata që i kanë drejtuar. Kryeministri, ministrat apo edhe drejtori i policisë po i shpërndajnë nëpër botë deri në kontinente të largëta, në mënyrë që këta të jenë gojë të mbyllura pikërisht për këtë kupolë që është në krye të shtetit. Pra, e gjithë kjo është një provë e një shteti të kapur nga krimi të inkriminuar, ku përveçse largimit nuk mund të ketë asnjë mundësi tjetër përmirësimi.