Nuk hahej as me vaj e as me uthull. Sulmi i Edi Ramës ndaj LSI-së dhe Metës nuk e dha efektin që priste Rama. Pas 2-javësh sulm, ai jo vetëm faktorizoi edhe më shumë LSI-në, por mori disa kundërpërgjigje të forta. Të gjitha, artikuluar nga politikanët e rëndësishëm të partisë që kishte bashkëqeverisur me të, na kujtonin vetëm një gjë: dështimet e mëdha të Edi Ramës që ka mbajtur për 4 vjet timonin e qeverisë.
Kanabisi, koncesionet, politizimi i administratës, ekonomia etj janë çështjet që, edhe pse i kishim harruar, u kthyen si me ”magji”.
Në këtë rrugë, të rikthimit në kujtesë të dështimeve të mëdha, një dorë sigurisht e kishte dhënë edhe Basha. Kryetarët e dy partive të mëdha që sulmonin paralel Ilir Metën dhe LSI-në.
Papritur, Rama, jo më larg se mesditën e sotme, u dërgon një mesazh kandidatëve të tij me qëllim që të ndërpresin sulmin ndaj LSI-së. Mes rreshtash kishte edhe motivim për ta nga kryesocialisti.
Disa ngjarje, jo krejt pa rëndësi ndodhën para se Rama t’i jepte ”Send” atij mesazhi. Ilir Meta takohet me Shpëtim Idrizin e PDIU-së dhe dy partitë bëhen bashkë për të ruajtur votat. Kuptohet që kjo ka gjasa të jetë vetëm maja e ajsbergut. Se çfarë ka biseduar Meta me Idrizin vetëm ata të dy e dinë. Dibra, Elbasani, Fieri dhe Vlora kthehen kështu në qarqe edhe më të lëkundura për socialistët.
Por në kohën kur ndodhen para një rreziku të madh, siç është një koalicion i mundshëm PS-PD, apo një rreziku konkret ditën e zgjedhjeve: dyshimet se mbi votat e tyre do vihet dorë, ky është veprimi më i vogël që mund të ndërmerrnin. Deri te më i madhi: paralajmërimi që Meta i bëri sot Ramës për mungesën e dekretimit kur të jetë në zyrën e Presidencës nëse vihet dorë mbi votat.
Përveç kësaj Meta bëri një sulm shumë të ashpër, lidhur me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakon. Pas shkarkimit që Rama i bëri Saimir Tahirit, u krijua ideja se do kishte ndryshime edhe në drejtimin e policisë, por kjo gjë nuk ndodhi. Nuk dihet pse Meta sulmoi Çakon dhe se çfarë di kryetari i Kuvendit për atë që e quajti ”Haki Droga”, por ky ishte një mesazh i qartë për Edi Ramën.
Mesazhi telefonik i Ramës ndaj kandidatëve të vet për të ndërprerë sot sulmin ndaj LSI-së, ndodhi pikërisht në këto kushte. Rama nuk u shfajësua dot pse nuk kishte bërë shtet, përkundrazi, si padashje ju rikujtoi shqiptarëve, me gojën e politikanëve të LSI-së se kanabizoi, varfëroi, koncesionoi ç’të mundej, katranosi Arsimin e Lartë që edhe para se të vinte Rama ishte si mos më keq.
Dy javët e fundit të fushatës janë të rëndësishme për cilëndo parti. Nga njëra ana kryeministri aktual do përpiqet të nxjerrë sa më shumë njerëz në votime, nga ana tjetër ai gjendet në kryqëzim për rrugën që do zgjedhë për të shtyrë fushatën edhe këto ditë që i kanë mbetur.
Sulmi ndaj LSI-së me gjasë përveç dëshirës për t’u shfajësuar për ato që nuk bëri, mund të ketë qenë edhe një metodë për të fituar kohë që të mos përballet me llogaridhënien përballë atyre që u kërkon votën.
Atëherë, ka disa rrugë që Rama mund të ndjekë. Kjo në varësi të parashikimeve më objektive të mënyrës si do shkojë rezultati. Asnjë parashikim nuk e nxjerr Ramën të vetëm fitues. A do jetë me Bashën apo me Metën? Kjo është pyetja. Në mos e gjithë situata i del nga duart duke parë në distancë një koalicion të mundshëm PD-LSI.
S’ka dyshim që të trija partitë në këto dy javë do luftojnë për veten. Basha duke parë kthesën e Ramës që ndalon sulmet ndaj LSI-së mund të intensifikojë sulmet edhe ndaj tij, edhe ndaj LSI-së.
Po Rama kë do sulmojë? Ka shumë gjasa që siç thotë ai të fokusohet te tregimi se çfarë do bëjë në 4 vjetët e ardhshme përballë votuesve, por gjasat nuk janë edhe aq të vogla sa edhe një sulm ndaj Bashës. Situata bëhet edhe më delikate kur shikon mbrojtjen që ish-kryeministri Berisha i bën Metës.
Perceptimi në publik i një marrëveshje mes tij dhe Bashës duhet ta ketë dëmtuar atë, përderisa ndodhi kjo pikë kthese. Mendoni një socialist që hedh votën duke patur të qartë se Rama do qeverisë me Bashën (ide që padashur e përforcuan të dy duke sulmuar njëkohësht Metën).
Ka shumë gjasa që të dy, edhe kryesocialisti, edhe kryedemokrati të bëjnë të pamundurën në këto dy javë për të zhbërë atë që bënë: marrëveshjen. Sa të besueshëm do jenë?! Kjo është çështja./Valmora Gogo-SHUPLAKA