Deputetja e PD-së Dhurata Çupi Tyli ka publikuar dy foto të kryeministrit Edi Rama që kanë të bëjnë me platformën e Tik Tok, një ditë pasi ai propozoi mbylljen e rrjetit social si një nga shkaktarët e nxitjes së dhunës, referuar vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
Deputetja e PD-së pyet se cilin Ramë të besojmë, atë që është kundër TikTok apo atë që promovon?! Sipas saj, u mbyll ose jo Tik Tok-u kjo nuk e zgjidh problemin. Thjesht e mbulon dhe e lë të harrohet deri në tragjedinë e radhës.
“Cilin Ramë të besojmë? Ramën kundër Tik Tok, se e di që kështu mund të shuajë zemëratën e njerëzve për vrasjen e nxënësit 14-vjeçar, apo Ramën që promovon Tik Tok për të na treguar rëndësinë e tij globale? Fotot tregojnë se kemi 1 kryeministër me 2 qëndrime brenda 1 viti. E kam thënë shpeshherë, Edi Rama ndryshe flet, ndryshe vepron. Thotë se ka hulumtime që TikTok është i dëmshëm. Kur është me ndikim kaq negativ tek fëmijët dhe rinia pse hapi llogari në Tik Tok dhe pse e mban ende atë llogari të hapur? U mbyll ose jo Tik Tok-u kjo nuk e zgjidh problemin. Thjesht e mbulon dhe e lë të harrohet deri në tragjedinë e radhës”, shkruan deputetja e PD.