Partia Demokratike kërkoi sot me një projektvendim uljen e çmimit të biletave të transportit urban në Tiranë dhe udhëtim falas për nxënësit e shkollave.
Kryetari i grupit të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës Leonard Olli, depozitoi sot projektvendimin që vjen pas publikimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të abuzimit prej 6 milionë dollarësh, me rritjen e çmimit të biletave nga kryetari Erjon Veliaj.
“Sikurse jeni në dijeni, Bashkia e Tiranës rriti në mënyrë abuzive në një megaaferë korruptive çmimin e biletës së transportit urban me 30%, dhe ne shprehëm opinionin tonë që rritja ishte e pastudiuar dhe mbi të gjitha e pakonsultuar me qytetarët dhe grupet e interesit. Pothuajse një vit më pas edhe pse me shumë vonesë, Kontrolli i Lartë të Shtetit, fakton dhe provon absolutisht pa asnjë ekuivok të gjithë ato që ne kemi deklaruar e kontestuar, që 6 milion dollarë të hequra nga xhepat e qytetarëve, do të shkonin në xhepat e klientëve të kryetarit të bashkisë Veliaj.”, ka deklaruar Olli brenda selisë blu.
Ndërkohë ai shtoi se kërkon në mënyrë absolute rikthimin e çmimit të biletës së transportit urban në parametrat e mëparshëm, pra në 300 lekë të vjetra, dhe në të njëjtën kohë përjashtimin nga bileta e transportit urban të të gjithë fëmijëve që ndjekin arsimin e detyruar nëntëvjeçar.