Agjencia e OKB-së për refugjatët paralajmëroi sot për rritjen e numrit të refugjatëve nga rajonet që janë veçanërisht të prekura nga ndryshimet klimatike nëse nuk bëhen investime për të përmirësuar mjedisin.
Raporti i UNHCR-së u prezantua në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike ose COP29, në Baku.
“Ndërsa goditjet klimatike po ndodhin më shpesh, në më shumë vende njerëzit e zhvendosur po e gjejnë veten gjithnjë e më shumë të detyruar të lëvizin përsëri dhe përsëri në kërkim të një vendi të sigurt dhe të banueshëm”, tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.
UNHCR tha se njerëzit ikin në shumë rajone për shkak të dhunës dhe konflikteve – por kjo nxitet edhe nga lufta për burime që po pakësohen për shkak të ndryshimeve klimatike.
Burimet e ujit të pijshëm po thahen, toka po bëhet djerrë, niveli i detit po rritet dhe njerëzit duhet të kërkojnë mjetet e jetesës diku tjetër.
Shumica e refugjatëve ikin në vendet fqinje që janë vetë të prekura keq nga ndryshimet klimatike.
Sipas UNHCR-së, 75% e 123 milionë njerëzve që kishin ikur nga shtëpitë e tyre deri në fund të vitit të kaluar dhe jetonin diku tjetër ishin në vende ku rreziku i fatkeqësive të lidhura me ndryshimet klimatike ishte veçanërisht i lartë.
Gjatë dekadës së kaluar, rreth 220 milionë njerëzve u është dashur të largohen nga fshatrat dhe qytetet e tyre të paktën përkohësisht për shkak të katastrofave të motit të lidhura me ndryshimet klimatike.