Rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata përmes një postimi në rrjetet sociale ju kërkon ndihmë qytetarëve në përballimin e kësaj situate të pazakontë që është krijuar nga koronavirusi.
Gjata shprehet se përballë këtij virusi janë futur në kolaps edhe sisteme shëndetësore shumë më të përparuar se ky i yni, dhe prandaj është e domosdoshme që të gjithë të bashkëpunojmë për të ndihmuar mjekët.
Postimi i plotë i Gjatës:
Të dashur studentë, kolegë, miq të njohur e të panjohur,
Shqipëria është në prag të një epidemie, e cila ka prekur mbarë globin dhe ka trokitur zhurmshëm në dyert e Europës.
Shtete të fuqishme dhe me sisteme shëndetësore të avancuara, e kane pare veten në prag kolapsi shëndetësor!
Po Shqiperia jonë, me shume Halle e Siklete, çfarë mund të bëjë në këtë situatë ; kur edhe superfuqi ekonomike kanë pasur vështirësi pa fund.
Jam i bindur, se si gjithnjë në kohë krizash, punonjesit e shëndetit, nga sanitari dhe barela-mbajtësi më i thjeshtë, e deri tek Profesori apo Mjeku me i nderuar, do të jemi bashkë, në frontin e parë, për të bërë me të mirën në luftë, për jetën e çdo bashkëatdhetari, duke sfiduar rrezikun dhe privacionet, duke harruar familjet e hallet e përditshme, si dikur në vitin 1997, si në epidemi e tragjedi te tjera, si gjate tërmetit, duke vërtetuar dhe u rikujtuar edhe një herë të gjithëve, dhe sidomos atyre që harrojne shpejt se:
-Ky është shpirti, zemra dhe profesionalizmi i Trupës Mjekësore Shqiptare!
Po Ju, miq e të njohur të shumtë, jo të sferës mjekësore, po ju qytetarë të thjeshtë a mund të kontribuoni në keto situata emergjence mjekësore për mbarë kombin?!
Ka vetem një përgjigje:
Na ndihmoni duke na kursyer punen, mundin e riskun!
Përballimi i kësaj situate kërkon qytetari ekstreme. Coronavirus nuk vritet as me pushkë, as me raki, as me trimëri injorante.
Nuk e vret asnjë parti e asnjë shoqatë, asnjë gazetë apo portal.
Fati i përballimit të kësaj situate është në radhe të parë në doren tuaj.
Pa panik, por shumë kujdes!
Zbatoni masat epidemiologjike e sanitare që ju rekomandohen!
Lani duart, ruani distacën, mos u përqafoni e mos i jepni dorën askujt, por mbi të gjitha qëndroni në shtepi!
Dy javë në shtëpi, do të na kursenin me mijëra orë pune dhe do të shpëtonin me dhjetra jetë.
Mbroni veten, fëmijët dhe prindërit tuaj!
Kemi fatin të prekemi me vonë se të tjerët dhe kemi mësuar nga përvojat e tyre të dhimbshme, apo të suksesshme se mundësia e vetme për ta përballuar me sukses këtë sfidë jeni Ju!
Mendoni dhe veproni në mënyrë të tillë, që pranvera e vera që vjen pas, t’ju gjejë të shëndetshëm të gjithëve; Juve, Femijët tuaj, Prindërit tuaj, bashkëkombasit tuaj!
Jeni mbështetja me e madhe që mund të kemi, në këtë betejë, që na pret përpara!
Na jepni një dorë, që ta festojmë se bashku dhe sa më shpejt fitoren!
Vetëm së bashku mund dhe do t’ia dalim!
Sinqerisht i juaji
Arben Gjata