Edhe më herët profesionistët e shëndetit kanë sqaruar se Covid-19, virusi që tashmë ka prekur gjithë botën ka shenja shumë të përafërta me gripin sezonal, por edhe me ftohjen. Kjo është edhe problematika më e madhe dhe që shpesh sjell konfuzion tek pacientët, duke rritur shqetësimin se çfarë duhet të bëjnë sapo shfaqen simptomat.
Ka shumë që vrapojnë në dyert e spitaleve, por ka dhe nga ata që mund t’i neglizhojnë duke shkuar në vendet e tyre të punës apo ndjekin rutinën e përditshme duke vënë në rrezik shëndetin e popullatës. Kjo situatë duket se do të jetë vërtetë shqetësuese, kur jemi përballë stinës së virozave apo gripit sezonal, të cilat në fakt duket se kanë shtuar edhe radhët e pacientëve, kryesisht atyre të vegjël (të moshave pediatrike) në dyert e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Nisur nga kjo situatë, autoritetet e shëndetësisë kanë nisur zbatimin e planit të masave për rikthimin e shërbimeve 24 orë në disa qendra shëndetësore fillimisht në 4 prej tyre) në Tiranë. Vlera Lekaj, mjeke familjeje në Qendrën Shëndetësore Nr.8 në kryeqytet, tregoi në “Wake Up” në Channel si mund të dallojmë Covid-19 nga gripi.
“Kjo dilemë do të krijojë edhe një farë konfuzioni të njerëzit, për të kuptuar se nëse preken nga disa simptoma të caktuara, cilat nga këto simptoma do t’u shkaktojnë atyre njërën nga këto patologji. E përbashkëta është se të tre këto patologji shfaqen me temperaturë, sidomos gripi dhe Covid, ku temperatura është një nga shenjat kryesore.
Temperatura shkon nga 37.5 në 38 apo 39 ka qenë temperaturë më e zakonshme. Tek e ftohura temperatura është më e rrallë. Rrufa është një simptomë e rrallë të Covid, ka pasur raste, por të rralla. Është më e shpeshtë te gripi i stinës dhe te e ftohura.
Dhimbjet muskulare, të cilat janë prezente te të tre patologjitë. Kolla gjithashtu është prezente tek të tre patologjitë. Diarreja është prezente te enterevirozat, por kemi pasur edhe raste me Covid që kanë pasur shenjë kryesore të Covid diarrenë. Vlen për të përmendur edhe humbjen shijes dhe nuhatjes. Është e përbashkët si të gripi ashtu edhe te Covid.
Vështirësia në frymëmarrje është tipike e Covid dhe shumë e rrallë të gripi. Zgjatja dinamike e simptomave është tipike e Covid, ndërsa gripi kalon me shpejt.
Periudha e inkubacionit të Covid zgjat nga 5-6 ditë nga momenti i infektimit deri në 2 javë shfaqen simptomat nëse je prekur. Ndërsa te gripi dhe te e ftohura mund të jetë disa ditë para shfaqjes së simptomave”, sqaroi mjekja.