E shtuna pasdite i dha një tjetër impuls krizës politike në vend, me presidentin Meta që vendosi që të shtyjë zgjedhjet lokale të 30- Qershorit, një vendim ky që sipas kryeministrit të vendit është nul.
E në mesin e kësaj krize politike, ku Rama kërcënoi dhe me shkarkimin e Metës, opozita e re parlamentare me në krye Lefter Kokën, ka konsumuar një drekë në shtëpinë e tij në Durrës.
Në një foto të publikuar në rrjetet sociale bie në sy se pas Kokës, janë një pjesë e mirë e deputetëve që dolën nga radhët e LSI-së mes tyre dhe Ralf Gjoni.
Nuk ka munguar as një diçiturë nga Koka për foton, ku shprehet se Shqipëria do të ecë vetëm përpara, po pa specifikuar më tej.
“Shqipëria do të ecë vetëm përpara! I detyrohemi shqiptarëve, rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik të atdheut!”, shkruan Koka në foton që poston së bashku me 11 deputetët e tjerë të Parlamentit.
Presidenti Meta ka thirrur mëngjesin e sotëm një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ku do të paraqesë dhe argumentet ligjore se ku është referuar për vendimin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve.
Koka ka qenë një nga aleatët dhe njerëzit më të afërt të Metës në krye të LSI-së, po pas marrjes së drejtimit të partisë nga Kryemadhi, marrëdhëniet ndryshuan, pasi Koka shprehej kundër një aleancë me PD-në.