Një pjesë e caktuar e emërimeve të larta në Sekretariatin e Parlamentit Europian do të bëhet në muajt e ardhshëm jo përmes një procesi transparent të rekrutimit, sipas sindikatave dhe zyrtarëve brenda asamblesë por nëpërmjet marrëveshjeve politike të fshehta.
Gjashtë zyrtarë të Parlamentit, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se tetë individë pretendohet se janë kandidatë të suksesshëm për postin e drejtorit në Shërbimin Civil të Parlamentit.
Ata thanë se së paku pesë individë janë zgjedhur nga shërbyesi më i fuqishëm civil i Parlamentit, Sekretari i Përgjithshëm Klaus Welle, ose sepse ai i dëshiron ata për këtë punë ose si rezultat i marrëveshjeve midis grupeve më të mëdha politike të asamblesë.
Këto pretendime janë të destinuara të rrisin shqyrtimin ndaj emërimeve të larta në institucionet e BE-së dhe të ekspozojnë Parlamentin ndaj akuzave për standarde të dyfishta. Eurodeputetët kanë kërkuar një hetim për emërimin e shpejtë të Martin Selmayr muajin e kaluar në postin më të fuqishëm të nëpunësve civilë në Komisionin Evropian.
Në një letër dërguar kryetarit të parlamentit Antonio Tajani të martën, Pilar Antelo, kryetari i komitetit të stafit, shprehu shqetësimin për “politizimin dhe manipulimin në rritje të procedurave të larta të emërimit”.
“Kur qasja në vendet më të larta të punës në institucionin tonë rrjedh nga marrëveshjet në hije e pas skene, makinacionet politike dhe ngjitja e shpejtë e individëve politikisht të favorizuar apo që kanë ngjyrat e duhura politike ose mentorë me ndikim, ajo që ndodh është demotivohen kolegët e aftë”, shkruante ajo.
Antelo vuri në dukje se në letrën që deputetët e parlamentit I dërguan, kanë qenë shumë kritikë ndaj emërimit të shpejtë të Selmayrit. “Me keqardhje themi se situata në shtëpinë tonë nuk është aspak e mirë kur bëhet fjalë për transparencën dhe ndershmërinë e emërime të larta”, shtoi ajo.
Parlamenti Evropian është fjalë për fjalë ‘një shtëpi prej qelqi’
Në debatin e një seance plenare në fillim të muajit, eurodeputetja liberale holandeze Sophie në ‘t Veld u tha kolegëve të saj se promovimi i Selmayrit u reflektua keq në institucionet e BE. “Komisioni do të duhet të zgjedhë atë që është më e rëndësishme, karriera e z. Selmayr apo besueshmëria e BE,” tha ajo.
Kritikët thanë se Parlamenti ka vite që bën diçka të ngjashme në rekrutime duke marrë kandidatë të favorizuar në vende pune të larta dhe eurodeputetët kanë qenë aspak të shpejtë për të denoncuar e dënuar këto praktika.
“Parlamentarët duhet të jenë të kujdesshëm,” tha një zyrtar i lartë i parlamentit. “Ne kemi një shprehje në gjuhën angleze:” Njerëzit në shtëpitë e qelqit nuk duhet të hedhin gurë. “Meqenëse Parlamenti është fjalë për fjalë një shtëpi qelqi – ndonëse jo shumë transparente – banorët e saj duhet të jenë më të kujdesshëm në hedhjen e gurëve.
Deputeti gjerman, Bernd Koemel, zëdhënës i buxhetit për konservatorët dhe reformatorët evropianë, tha se grupi i tij ishte “gjithnjë e më shumë i shqetësuar për numrin e emërimeve politike në shërbimin civil të Parlamentit”, duke shtuar se “kjo minon besimin dhe të bën të dyshosh në pavarësinë e shërbimit”.
Duke iu referuar seancës plenare të emërimit të Selmayrit, gjashtë sindikata, duke përfshirë Union Syndicale Luxembourg, anëtarët e të cilëve punojnë në Parlament, u shkruan një email eurodeputetëve dhe stafit të Parlamentit ku thuhej ndër të tjera: “A nuk ka paksa hipokrizi në zemërimin e së hënës të eurodeputetëve?
Të gjitha tetë pozicionet e nivelit drejtues që duhet të plotësohen janë në klasën AD 14 të stafit dhe marrin një pagë prej së paku 14,000 eurosh në muaj. Sipas rregullave, çdo aplikant tashmë duhet të jetë personeli i klasës AD 13 ose sipër, në mënyrë që të konsiderohet si një aplikant i brendshëm. Një anëtar i stafit i klasës AD 13 duhet të ketë së paku 20 vjet përvojë në Parlament, përveç përvojës në vende pune të tjera.
Gjashtë nga pozicionet janë shpallur jashtë administratës. Por zyrtarët thonë se kjo i jep Klaus Ëelles edhe më shumë gjasa që të caktojë këdo që dëshiron për këtë punë. Siç thekson Pilar në letrën e saj, botimi i një postimi nga jashtë nënkupton se kërkesat minimale në një CV pune mund të jenë më pak të arritshme krahasuar me një emërim të brendshëm – në fakt, duke e bërë më të lehtë emërimin e një kandidati të brendshëm edhe nëse ai ose ajo nuk i plotëson kërkesat për punë, duke mos u përfshirë në klasën e nevojshme të personelit.
“Arsyeja për botimin në Fletoren Zyrtare dhe pastaj dhënia e postit dikujt që është tashmë brenda [ose në administratën e parlamentit ose në stafin e grupit politik] vjen për shkak se kjo i lejon kandidatët edhe nën gradën 13 të aplikojnë për postin e drejtorit të gradës 14”, tha një zyrtar i lartë i Parlamentit.
Emërime nëpër poste pa fund…
Një nga emërimet e paracaktuara – për të kryesuar Drejtorinë për Koordinimin dhe Pajtimet Legjislative – është Alessandro Chiochetti, i cili aktualisht është zëvendës-shefi i stafit të Tajanit, përgjegjës për çështjet e brendshme.
Zyrtarët e parlamentit thanë se Chiochetti, një ish-ndihmës i deputetit, është kandidati i preferuar i Ëelle, por ai nuk ka përvojën e kërkuar. Pra, Parlamenti “ka nisur një procedurë të jashtme për të qenë në gjendje ta rekrutojë”, tha një zyrtar. Chiochetti nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Një shembull tjetër është Lars Sørensen, zëvendëskryetari aktual i Ëelle, i cili thuhet se është i destinuar të jetë i katapultuar në rolin e drejtorit për infrastrukturë dhe logjistikë. Kritikët argumentuan se Sørensen nuk ka përvojën e kërkuar për t’u kualifikuar si një aplikant i brendshëm. Sørensen nuk u përgjigj komenteve ndaj tij.
Në raste të tjera, akuza është se një kandidat i brendshëm është ngritur në detyrë pikërisht në momentin kur një kandidat i jashtëm më i kualifikuar do të ishte në dispozicion të postit. Vetë kreu I kabinetit të Ëelle, Christian Mangold, dyshohet se mund të bëhet kreu i Drejtorisë së sapokrijuar për fushatat brenda drejtorisë së përgjithshme të komunikimit të Parlamentit, përpara zgjedhjeve evropiane të vitit të ardhshëm.
Por për shkak se puna është shpallur vetëm brenda administratës, do të përjashtojë shumë kërkues të mundshëm të jashtëm me përvojë në fushatë. “Do të kishte shumë njerëz me përvojë jashtë Parlamentit që do të dinin se si të udhëheqin një fushatë”, tha një zyrtar.
As Mangold, i cili tashmë është në nivel drejtori, nuk pranoi të komentojë këto akuza.
Emërtimet e ardhshme të Natacha Scriban-Cuvelier dhe Sabina Magnano për rolet e larta kanë nxitur kundërshtime me arsyetimin se ato janë rezultat i preferencave politike.
Scriban-Cuvelier është një nëpunëse civile e cila punon si zëvendës/sekretare e përgjithshme për Partinë Popullore Evropiane, grupi më i madh politik në Parlament. Disa zyrtarë thanë se Ëelle dëshiron që ajo të kryesojë Drejtorinë e Përgjithshme për Presidencën, përgjegjëse për seancat plenare të Parlamentit.
“Si mund të jesh i paanshëm dhe i pavarur kur ke kaluar pothuajse të gjithë karrierën tënde në një grup politik?”, pyeti një tjetër zyrtar i Parlamentit.
Magnano, kryetarja aktuale e njësisë për Komitetin e Mjedisit, Shëndetit Publik dhe Sigurisë Ushqimore në Parlamentin Evropian, mendohet se do të bëhet drejtoreshë e medias në Drejtorinë e Përgjithshme të Komunikimit. Dy zyrtarë thanë se Gianni Pittella, ish kreu i grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, rekomandoi Magnanon, e cila e kryeu më parë këtë punë për socialistët.
As Scriban-Cuvelier dhe Magnano nuk iu përgjigjën kërkesës për komente.
Sigurisht as Klaus Welle nuk pranoi të komentojë akuzat, por një zëdhënës i Parlamentit Evropian tha se është tepër shpejtë për të paragjykuar rezultatin e emërimeve, pasi asgjë nuk është vendosur ende.
“Procedura për emërimin e drejtorëve në Parlament përfshin një vlerësim të listave të aplikantëve nga Byroja, e cila pastaj harton një listë të kandidatëve për t’i ftuar në intervistë me Komitetin Këshillues”, tha zëdhënësi. “Ky panel pastaj do të bëjë rekomandimin e tij, i cili dorëzohet nga kryetari i Parlamentit [Antonio Tajani] tek Byroja me 15 anëtarë, pasi ky është organi përgjegjës për emërimin.”
“Prandaj, çdo vendim do të ketë nevojë të paktën për disa muaj kohë përpara se të merret,” tha zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të Parlamentit Evropian Klaus Welle.
Përshtati në shqip nga Politico.eu, Faxweb