Prej disa ditësh Kosova dhe Serbia kanë ashpërsuar ndjeshëm tonet mes tyre, pas arrestimit të Marko Gjuriç.
Sot mbi kokën e banorëve të Luginës së Preshevës kanë fluturuar sërish avionët luftarakë serb.
Që prej orëve të para të mëngjesit, ata janë parë të fluturojnë shumë pranë vijës ajrore të Luginës, duke bërë që qytetarët atje të frikësohen për sigurinë e tyre.
Një situatë e ngjashme u paraqit edhe të mërkurën. Atë ditë, KFOR-i sqaroi përmes një njoftimi se nuk bëhej fjalë për ndonjë kërcënim nga Serbia, e se avionët ushtarakë serbë kishin bërë manovra.
Megjithatë, tensionet e krijuara i shtyjnë banorët e zonës të mendojnë se gjërat mund të mos jenë edhe kaq të thjeshta. Ushtria e Serbisë përveshi mëngët për të treguar muskujt të enjten, duke shtënë me municione luftarake në një sulm të improvizuar ndaj pozicioneve të kryengritësve, në një terren stërvitjesh në lindje të Beogradit.
Stërvitja me emrin e koduar “Sinergjia 2018” u krye 3 ditë pasi policia e Kosovës përdori forcën për shpërndarjen e protestuesve serbë në qytetin e Mitrovicës, në veriun e Kosovës, e për një kohë të shkurtër mbajti të arrestuar Marko Gjuriçin, një incident ky që rindezi tensionet mes dy vendeve.
(E.K/FAXWEB)
Discussion about this post