Një stuhi e fuqishmë shiu ka përfshirë mëngjesin e sotëm Stambollin në Turqi. Reshjet që kanë zgjatur për disa orë kanë bllokuar jetën në qytet, si dhe kanë përmbytur linjat e transportit të qytetarëve.
Drejtori i Zyrës së Emergjencës të qeverisë turke (AFAD) Mehmet Halis Bilden tha se fatmirësisht deri më tani nuk raportohet që të ketë viktima.
Bilden tha në rrjetet sociale se ekipet e shpëtimit janë në tërren për të ardhur në ndihmë të qytetarëve që do të kenë nevojë.
“Të gjithë janë angazhuar në operacionet e shpëtimit. Falë Zotit, sipas informacioneve paraprake nuk ka viktima”, ka shkruar Bilden.
Ai këshilloi që në rrugë të mos lëvizin me automjete përveç në raste urgjente dhe kërkoi që banorët t’u përmbahen udhëzimeve të autoriteteve kompetente.
Sipas parashikuesve të motit rreshjet e shiut do të vijojnë, ndërkohë që në mbrëmje pritet që të rikthehen edhe më fuqishëm rreshjet së bashku me erën e fortë.
Ndërkohë, Ministri i Transportit Ahmet Arslan e përshkroi shiun si “një katastrofë natyrore”.
(E.K/SHUPLAKA)
https://www.youtube.com/watch?v=g1DSN0pDxYY