Një njoftim i Bashkisë së Vlorës u është shpërndarë qytetarëve ku u kërkohet që të mos afrohen në zonën përballë teatrit “Petro Marko”, në orën 13:00 të së shtunës.
Ky njoftim është bërë për shkak të një shpërthimi me tritol që pritet të ndërmerret në këtë zonë, përcjell “Gazeta Shqiptare”.
Veç kërkesës për të mos iu afruar pallatit, atyre u është kërkuar edhe që të marrin një sërë masash të tjera me qëllim shmangien e dëmeve në banesat e tyre, të tilla si hapja e dritareve dhe ulja përtokë e sendeve shtëpiake.
Atyre u është kërkuar të lenë banesat e tyre, një orë përpara shpërthimit të planifikuar. Flitet se objekti që pritet të shembet është objekti me më shumë hekur që ka hasur IKMT ndaj nevojitet që sasia e tritolit të jetë e konsiderueshme.
NJOFTIMI I BASHKISË
Ditën e shtunë në orën 13:00 do të realizojmë shembjen me lëndë plasëse të objektit 5 kate përballë teatrit Petro Marko. Ju lutem, merrni këto masa: Hapja e dyerve dhe dritareve, uljen e pajisjeve si televizor etj, largimi nga banesa në orën 12:00 për të gjithë banorët dhe bizneset në rreze 250 metra nga objekti.
Ju lutemi vlerësoni me seriozitet marrjen e masave për të shmangur dëmet!
(XH.A/SHUPLAKA)