Nga Sonila Meço:
“Roli që Tirana kërkon të luajë tani pas zgjedhjeve në Maqedoni, pasi vota shqiptare u hodh, u përça, por krijoi paradoksalisht mundësinë e një ndikimi më të madh në qeveri e shtetbërje, nënkuptohet edhe pse takimet bëhen pas dyerve të mbyllura.
Por çështja është se vendi amë duhet të ndikojë përtej përpjekjeve në pamundësi kohe si kjo e marrëveshjeve pas zgjedhore.
Nis më vete gjendjen e shtetit amë, që sorrollatet në kritere të papërmbushura, kriza politiko-ekonomike, kriminalizim institucionesh duke vonuar çdo aspiratë integruese.
Vetë shteti është i dobët, pavarësisht vetpërcaktimit gjeopolitik të udhëheqësve tanë përtej rajonit në kufijtë e globit.
Çfarë roli luan Shqipëria në zhvilimet rajonale që prekin edhe Maqedoninë? Me ç’frekuencë e ngre dhe ul zërin? Me ç’decibël? Në Shkup e Tetovë të dëshmojnë se botimet e librave nga Shqipëria mungojnë, sidomos ato për fëmijët që duan të mbajnë gjallë shqipen, shfaqjet artistike, teatrore, koncertet gjithaq. Rrallë, shumë rrallë. Dhe e gjitha ndodh në një kontekst ku vetë përfaqësuesit europianë i hapin mundësitë për bashkëpunim më të fortë mes shqiptarëve e maqedonasve në Shkup. Ishte e paimagjinueshme më parë që në krye të jurisë së çmimit më të rëndësishëm gazetaresk të BE-së në Maqedoni të qe një shqiptare. Pas 10 vjetësh mungese debati politik në mediat Maqedonase, këtë e realizon një shqiptar, Nazim Rashidi, emër i rëndësishëm i gazetarisë në Alsat Tv, duke ulur përballë armiqtë e përbetuar maqedonas të dy kampeve kryesore politike.
Ne mirë që shanset nuk i kërkojmë, por edhe kur na kalojnë para hunde kthejme kokën vetëm nëse kanë një përgjigje të bollshme për pyetjen ‘Ç’fitoj?’. Vonë je Tirana zyrtare, vonë jeni udhëheqës globalë të hapësirave lokale për të orientuar vagonët shqiptarë të trenit maqedonas. Jo se nuk ju zë gjumi natën, por të paktën mos i këndoni ninulla popullit.”
Nga Sonila Meço: