Komisioni i pavarur i Kualifikimit ka vendosur që të konfirmojë në detyrë Eneid Nakuçi, prokuror në prokurorinë e Krimeve të Rënda, i cili është gjithashtu dhe kandidat për SPAK-un.
Por pavarësisht konfirmimit në detyrë ndaj tij është kërkuar nisja e procedimit disiplimor, për shkak të disa shkeljeve që i janë gjetur gjatë procesit hetimor.
Për prokurorin ka pasur tre gjetje që lënë vend për dyshim, 5600 euro burimi i të cilave nuk dihet, mosdhënia e pretencës për çështjen Shullazi si dhe një përplasje që ka kryer me një automjet në 2016-tën. Këto gjetje KPK i ka referuar në organet kompetente, ndërsa Nakuçi është pjesë e Krimeve të Rënda prej 15 vitesh.
Në seancën dëgjimore që u zhvillua dje në KPK, Nakuçi pati një debat dhe me vëzhguesin e ONM-së Theo Jacobs, i cili ishte i drejtpërdrejtë kur iu drejtua prokurorit se ai fshihej pas faktit se nuk ka patur kohë duke folur për pushimin e një çështjeje të disa personave të dyshuar për trafik droge.
“Janë pesë apo gjashtë persona të dyshuar për trafik droge. Ju pushuat çështjen apo nuk e filluat. Duke qenë se ishin përcjellë investigime telefonike, fantazia juaj qëndroi vetëm tek këto përgjime”, u shpreh Jacobs.
Debati:
Theo Jacobs pyet prokurorin Eneid Nakuci: Kur bëhet fjalë për mbikëqyrjen e hetimit penal ju fshiheni pas faktit që nuk keni kohë , kështu që unë do besoja më shumë një prokuror që shkruan në letër. Kështu unë kam një problem sepse në përgjigjet tuaja ju fshiheni pas faktit se nuk ka procesverbale dhe në këtë rast nuk ka udhëzime.
Eneid Nakuci: Ne bëjmë aktin e delegimit, pra i bëjmë urdhrat ndaj OPGJ me delegime.
Theo Jacobs: Po rikthehem në çështjen që është përzgjedhur me short për tu vlerësuar. Janë pesë apo gjashtë persona të dyshuar për trafik droge. Ju pushuat çështjen apo nuk e filluat. Duke qenë se ishin përcjellë investigime telefonike, fantazia juaj qëndroi vetëm tek këto përgjime
Nakuci: Gjatë përgjimit nuk u konstatuan veprime nga këta të dyshuar
Theo: Pse ndaluat pas këtyre tabulateve telefonike. Çfarë ju pengoi ? Sepse informacioni i përcjellë ishte shumë i besueshëm. Sepse njëri nga këta persona ishte më herët i dënuar. Përse ndaluat , kur në këto përgjime nuk dërgohej dukshëm në një vepër. Jam i sigurt se ju punoni në prokurorinë e krimeve të rënda dhe duhet të shkonit më përtej. Përse ndaluat?
Nakuci: Nëqoftëse nuk kam elementë të mëtejshëm për hetimin nga përgjimi gjyqtari nuk më jep leje për përgjimin.
Theo: Nuk po flas për afatet e përgjimit, ka mënyra të tjera hetimi, a mund të bëni diçka përtej përgjimeve telefonike
Nakuci: I kërkova policisë të gjente në mënyra operative t’na referonin numra të rinj të tyre për t’i vendosur në përgjim. Nuk na sollën. Policia gjyqësore ishte në terren dhe ata e ndiqnin çështjen në terren.
(E.K/Faxweb.al)