Vijon seanca te Gjykata e Krimeve të Rënda ku pritet të jepet masa e sigurisë për 34 personat e arrestuar në sajë të operacionit të policisë Vol-vo 4.
Një prej personave humbi pak orë më parë ndjenjat, dhe u bë e mundur transportimi për në spital i tij, ku paraqitet në gjendje më të qëndrueshme.
Vlash Gazuli topograf ka humbur ndjenjat brenda sallës, ndikuar kjo dhe nga mosha e tij 76-vjeçare.
Nga ana tjetër ka pasur lëvizje për pak ajër dhe cigare dhe të ish-deputetëve të PS-së Arben Çuko dhe Arben Ndoka, ndërsa motrës së këtij të fundit i është dhënë leje që të ushqejë me gji vajzën e saj të mitur.
Ajo ka një vajzë 6-muajshe e cila ka nevojë për përkujdesjen e së ëmës.
Dy ish-deputetët kanë kërkuar që seanca e tyre të veçohet nga ajo e personave të tjerë të arrestuar, kërkesë kjo që është hedhur poshtë nga ana e Gjykatës. Ata do të marrin masën e sigurisë njësoj si personat e arrestuar të grupit të Shijakut dhe grupeve të tjera që janë cilësuar kriminale.
(E.K/FAXWEB.AL)