Prej kohësh projekti i Velierës në Durrës është kthyer në një nga projektet më të kritikuara nga shoqëria civile dhe jo vetëm. Kjo për shkak se në zonën ku po kryhen punime janë gjetur rrënoja arkeologjike të cilat rrezikojnë të humbasin nga gërmimet.
Edhe pse ka një reagim qytetar ditë pas dite Vangjush Dako bën përpara me punimet dhe nuk di të ndalet. Ditën e djeshme këto punime i denoncoi edhe deputeti i LIBRA-s Ben Blush. Ai tha se Dako po shpenzon jo pak po 4 milionë Euro për të ndërtuar një çadër betoni.
Mirëpo nuk ka vonuar edhe reagimi i Dakos që nga ana e tij e quan Blushin një mashtrues firmato. Ai thotë se Blushi po sillet njësoj si Basha për të përbaltur punën e tij në krye të Bashkisë Durrës.
SHKRIMI I PLOTË I DAKOS:
Përsëri sot Ben Blushi, ky MASHTRUES FIRMATO është marrë me mua dhe me kantierët e Durrësit. Ka ardhur njësoj si Basha për ta baltosur projektin e Velierës, në vazhdën e garës së tij me mashtruesin tjetër firmato Lulëzimin, se kush i ngjan më shume Saliut në baltosjen e Qeverisë së Edi Ramës.
Sa herë e dëgjoj këtë mashtrues më vjen keq për ata që gënjen me marifetet e tij prej gënjeshtari patologjik! Sepse unë e njoh mirë dhe e njoh prej kohësh dhe shyqyr hyj tek ata që nuk i ka mashtruar dot asnjëherë ky karagjoz që nuk merr vesh as nga puna, as nga ekonomia, as nga urbanistika.
A është e bukur apo e shëmtuar Veliera dhe a e vlen apo jo investimin, këtë nuk ka mbetur ta thotë një parazit social si Ben Blushi që nuk ka bërë asnjë punë në jetë dhe që kur ka qënë nja tre herë ministër i Nanos u komentua vetëm për skandalet e tij. Arkitekti dhe urbanisti i Velierës është i vlerësuar sot në botë dhe ndërton kryevepra në New York, Shanghai, Lugano, Milano e me radhë.
Ndërsa Blushi shet nëpër tezga librat mediokërr që shkruan për Qazim Sejdinin e për Edi Ramën. Megjithatë vlerësimet për punët e për investimet në Durrës i kanë bërë dhe do t’i bëjnë prapë qytetarët e Durrësit, ku librat e një mashtruesi firmato si Blushi as shiten as votohen. (E.K/SHUPLAKA)