Dega e Partisë Demokratike në Durrës reagoi pak minuta më parë për aksionin e policisë në Durrës, ku 18 persona është urdhëruar të ndalohen pas tërmetit vrastar të 26 Nëntorit.
Sipas kryetarit të PD Durrës, Ferdinant Xhaferraj e vërteta është se në krye të kësaj masakre qëndron ish-kryetari i bashkisë, Vangjush Dako dhe se ai duhet të jetë nën hetim.
Por Xhaferraj tregoi arsyet se pse Dako nuk mund të hetohet.
“Për më shumë se një dekadë në krye të piramidës së ndërtimeve dhe masakrës urbane në Durrës ka qenë kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Prokuroria ka investiguar për më shumë se dy javë dhe puna e saj, sa intensive aq edhe profesionale, ka rezultuar në ndalimin e cironkave të përgjegjësisë për dramën që po kalon qyteti.
Dako dhe shpura e tij nuk mund të hetohen nga prokuroria sepse Dako është pranë Ramës dhe me Ramën, që nga Durrësi deri në Stamboll. Piramida e krijuar nga Dako firmoste për ndërtimet, shiste beton për ndërtimet, supervizonte ndërtimet, firmoste dhe vuloste për të dhënë financimet. Por Dako është jashtë juridiksionit të prokurorisë, për faktin e thjeshte se është nën juridiksionin e Ramës”, deklaroi Ferdinant Xhaferraj.
(M. I./ Faxweb.al)